Karantina për emigrantët/ AP: Anulloni urdhërin, pamundëson votën për shqiptarët që vijnë nga Greqia ose Maqedonia e Veriut

Shqipëria

Karantina për emigrantët/ AP: Anulloni urdhërin, pamundëson votën për shqiptarët që vijnë nga Greqia ose Maqedonia e Veriut

Më: 21 prill 2021 Në ora: 22:29
Shqipëri

Në një rekomandim dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, KQZ-së dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, Avokati i Popullit ka kërkuar anullimin tërësisht e menjëherë të Urdhërit nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”.

Pranë institucionit të Avokatit të Popullit, një grup shoqatash të emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë paraqitur një ankesë, në të cilën shprehet shqetësimi për propozimin më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve (Komiteti i Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirus i ri) , për vendosjen e një periudhe prej 2 javësh për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, nëse ata do të vijnë në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Sipas ankesës, kjo masë e propozuar pengon dhe në fakt u mohon të drejtën e votës atyre emigrantëve që duan të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen në datën 25 Prill 2021. Në ankesë, kjo masë e propozuar shihet edhe si një trajtim diskriminues ndaj tyre, pasi emigrantët shqiptarë që jetojnë në vende të tjera lejohen të hyjnë pa u karantinuar në Shqipëri, ndërsa emigrantët shqiptarë në Greqi, jo.

Nisur nga një shqyrtim i hollësishëm i kuadrit të të drejtave të njeriut dhe praktika ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka rekomanduar fillimin dhe përfundimin e menjëhershëm, të procedurës administrative për anulimin kryesisht, nëpërmjet nxjerrjes së një akti të ri me shkrim, që anulon tërësisht Urdhërin nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”, si dhe marrjen e masave për të mos penguar në menyrë sproporcionale qytetarët shqiptarë që jetojnë apo punojnë në Republikën e Greqisë apo Republikën e Maqedonisë së Veriut nga e drejta kushtetuese e votës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat