Plumba në kokë, kraharor e trup/ Ekzekutimi në Vlorë, ja pista kryesore e hetimit, 18 të shoqëruar nga Policia

Shqipëria

Plumba në kokë, kraharor e trup/ Ekzekutimi në Vlorë, ja pista kryesore e hetimit, 18 të shoqëruar nga Policia

Më: 22 maj 2021 Në ora: 10:07
Delon Troqe

Mbi 10 plumba që kanë dalë nga një armë automatikë “Kallashnikovë”, kanë rezultuar fatale për Delon Troqen, 38 vjeçarin i cili mbeti i vrarë rreth orës 21:50 minuta të mbrëmjes së shkuar.

Burimet i thanë Panorama, se viktima ka pasur plumba në kraharor, trup dhe kokë, të cilët i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

Pak pas ngjarjes dhe deri më tani, policia ka shoqëruar në Komisariat rreth 18 persona, që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Mësohet se pista kryesore e hetimit lidhet me Spanjën dhe konflikte të mundshme që mund të ketë pasur në këtë shtet viktima.

EKZEKUTIMI

Delon Troqe, ishte pranë servisit të makinave në pronësi të të vëllait, kur u ekzekutua me të paktën 15 plumba kallashnikovi. Dy persona mësohet se kanë marrë pjesë në krimin e rëndë, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu gjurmët.

Menjëherë pas krimit, një automjet u gjet duke u djegur në zonën e Sherishtës në Vlorë, e cila dyshohet se u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Djegia e automjeteve pas krimit është një metodë e njohur nga grupet kriminale.

“Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Sherishtë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes”, sqaron Policia e Vlorës.

Shërbimet e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorëve.

Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas, të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.

E SHKUARA E VIKTIMËS

Mësohet se Delon Troqe, që u ekzekutua mbrëmjen e shkuar në Vlorë, kishte vetëm dy javë që ishte kthyer nga Spanja. 38-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka pasur probleme të shumta me ligjin më herët, ndërsa rezulton të ketë bërë edhe burg.

Sipas një vendimi të siguruar, Troqe ka bërë një kërkesë në Gjykatën Administrative ku kërkon kompensim për burgim të padrejtë për një periudhë prej 155 ditë, si dhe për 92 ditë kompensim për “arrest shtëpie”. Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë, por paraprakisht dyshohet për pazare droge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat