‘FBI-shqiptare’ nis punën në gusht; 28 hetuesit trajnim nga Antimafia Italiane, agjentët amerikanë së shpejti në Tiranë

Shqipëria

‘FBI-shqiptare’ nis punën në gusht; 28 hetuesit trajnim nga Antimafia Italiane, agjentët amerikanë së shpejti në Tiranë

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 08:45
FBI

Byroja Kombëtare e Hetimit në muajin gusht të këtij viti pritet të nisë nga puna. Oficerët e Policisë Gjyqësore që po ndihmojnë momentalisht Prokurorinë e Posaçme do të kalojnë në prokuroritë e tjera, duke u lënë vendin fillimisht 28 hetuesve dhe më pas 32 të tjerëve.

Sipas burimeve, gjatë kësaj jave hetuesit do të nisen drejt Italisë, ku do të zhvillojnë një trajnim 1 javor nga Antimafia Italiane. Pak javë më parë u firmos një marrëveshje mes SPAK dhe DNA.

Takimi u drejtua nga Kryeprokurori i DNA, Federico Cafiero de Raho dhe Drejtuesi SPAK, Arben Kraja, ndërsa e pranishme ishte dhe shefja e BKH. Në kuadër të kësaj marrëveshje Antimafia do të trajnojë hetuesit mbi metodat më të fundit të hetimit në fushën e pastrimit të parave, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë javën që vjen, do të vijnë në Tiranë disa përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të sjellin me vete edhe pajisje të teknologjisë së fundit. Për gati 4 javë, ata do të bëjnë trajnimin e të gjithë hetuesve për fusha nga më të ndryshmet, sidomos ato të korrupsionit.

BKH u ngrit sipas modelit të FBI dhe asistenca e tyre pritet të jetë shumë e rëndësishme, sidomos në fushën e përgjimeve dhe teknikave proaktive të hetimit.

Ndërkohë javën që lamë pas u mbyll testi fizik për kandidatët e rinj dhe këtë javë do të bëhen publikë emrat që janë kualifikuar, sipas burimeve, janë më të shumtë ata që e kanë kaluar këtë test krahasuar me grupin e parë. Pra duket se puna po përshpejtohet dhe Byroja e Hetimit do i japë një hov të madh hetimit antikorrupsion në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat