Meço: Shteti biznes privat e drejtësia kapriço ndërkombëtare, lajmet e ditës pasqyrim i xhunglës

Shqipëria

Meço: Shteti biznes privat e drejtësia kapriço ndërkombëtare, lajmet e ditës pasqyrim i xhunglës

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 16:53
Sonila Meço

Përmes një postimi në Facebook gazetarja Sonila Meço, duke komentuar për aktualitetin e zhvillimeve në vend shkruan se lajmet e përditshme janë një pasqyrim i denjë i xhunglës dhe i reagimeve instiktive e ku shpëtimin do t’ia kërkojmë Tarzanit.

Meço ka renditur një sërë gjërash të cilat janë problematike dhe që nuk shkojnë me vendin, ku sipas saj janë faktorët që kanë sjellë edhe një tablo të tillë të vendit.

Meço: Në një vend ku arsimi dergjet në cilësi katastrofale, me institucione të renditura gjithnjë e më poshtë në listime rajonale e ndërkombëtare, ku kultura matet me beton për metër katror skenash, këngëtarë videoklipesh për metër kub, botime bestseller sharlatanësh, ku arti “shpërthen” kryesisht në dizenjo kravata liderësh dhe ekspozita politikanësh, ku media tradicionale konkuron tik-tok-un e instagramin, ku shoqëria civile mund të mbijetojë vetëm si zyrë marrëdhëniesh publike me pushtetin e mu për këtë ngjajnë si dy pika uji në metoda, formë e përmbajtje, ku familja sfidohet për jetesë e mbijetesë nga mundësitë gjithnjë e më të pakta për të punuar ndershmërisht e shpërblyer me meritë, ku edukimi bëhet në rrjete sociale me metodologjinë “mëso si të shesësh mirë asetet fizike”, ku bursa financiare funksionon vetëm në “valutë” të pistë e zhul.

Ku shteti është biznesi privat më i fuqishëm, ku drejtësia është një kapriço e dështuar ndërkombëtare pleksur me interesa dhe inate province, ku politika është arsyeja dhe përgjigja e gjithçkaje, ku zgjedhjet vidhen, masakrohen e kriminalizohen pa asnjë dert, ku liria është më shumë e rrezikshme se paqja e “skllevërve”, ku ligjet i bëjnë a misura për “parinë”, ku nostalgjia për diktaturën buron nga rrënjët e munguara të lirisë e si e tillë rritet vetëm në laboratorin e një vendi eksperimental, ku ngushëllim mbetet ideja se fëmijët të paktën do të ikin nga këtu, patjetër që në këtë vend pra lajmet e përditshme do të jenë një pasqyrim i denjë i xhunglës, reagimeve instiktive e ku shpëtimin do t’ja kërkojmë Tarzanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat