Sherri për shezlongët përfundon në tragjedi/ Kush janë katër viktimat dhe dy të plagosurit në Shkodër, mes të vdekurve edhe punonjësi 20-vjeçar (DETAJE)

Shqipëria

Sherri për shezlongët përfundon në tragjedi/ Kush janë katër viktimat dhe dy të plagosurit në Shkodër, mes të vdekurve edhe punonjësi 20-vjeçar (DETAJE)

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 09:36
I ndjeri, Kujtim Ferracaku

Një sherr që nisi për vendosjen e shezlongëve përfundoi në një tragjedi në Velipojë, ku pas përplasjes me armë katër persona mbetën të vdekur dhe dy të plagosur. 

“Panorama” mëson se janë përplasur me armë dy familje, Ferracaku e Gocaj, hotelet e të cilëve ishin vendosur 50 metra pranë njëri-tjetrit. 

Të vdekur kanë mbetur biznesmeni Kujtim Ferracaku, 59-vjeç, babai i Arjan Ferracakut të ekzekutuar në Shkodër tre vite më parë. Po ashtu kanë humbur jetën dy pjesëtarë të familjes Gocaj, Xhovani Gocaj, 25-vjeç dhe Edmond Gocaj 38-vjeç, si dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç.

Ndërkaq të plagosur kanë mbetur dy shtetas të tjerë, Hasan Ferracaku, 54-vjeç, vëllai i të ndjerit, si dhe 17-vjeçari Elmedin Dyli.

Dyshohet se konflikti mes palëve ka nisur pasditen e djeshme. Pjesëtarët e familjes Ferracaku kanë shkuar pak pas mesnatës në hotelin e Gocajve për sqarim. Por aty ka nisur një sherr verbal që degjeneroi në konflikt me armë.

Krismat kanë shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit, disa prej të cilëve janë zgjuar të tmerruar nga të shtënat.

 
ImageI ndjeri, Kujtim Ferracaku

Deklarata e drejtorit të Policisë: Shumë shpejtë do kemi të arrestuar

Lidhur me ngjarjen tronditëse ka reaguar edhe Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, i cili në një prononcim për mediat tha se shumë shpejt do të kemi të arrestuar.

“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongëve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë”, tha ai.

Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, si dhe grupi hetimor me specialistët e drejtorisë së Policisë Shkodër.

Brahimaj deklaron se në këtë konflikt janë përdorur më shumë se një armë, ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale. Ndërkaq janë sekuestruar një numër kamerash nga vendngjarja, por kushtet e pamjeve kanë qenë të kufizuara për shkak të errësirës.

Njoftimi parapra

Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.

Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat