Tatim beqarie/ Zbulohet dokumenti

Shqipëria

Tatim beqarie/ Zbulohet dokumenti

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 09:00
Ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme arkivave ka publikuar një document që tregon se në vitin 1951, beqarët në Shqipëri, tatoheshin.

Sot duket e çuditshme por atëherë ka pasur një vendim nga  Presidiumi i Kuvendit Popullor, që saktësonte se kush nuk ishte i martuar, duhej të paguante tatime beqarie.

Sipas dokumentit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë.

“Ndërkohë që qarkullon lajmi mbi gjobën 450 euro për një puthje në Prishtinë, ne iu rikthyem historisë. Më 9 shkurt të vitit 1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi Dekretin nr. 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë”, thuhet në postimin e Drejtorisë së Akivave.

Sipas të njëjtit institucion, punëtorët dhe nëpunësit tatoheshin me 3% mbi të ardhurave, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4% mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lek në vit dhe të tjerët 200 lek në vit. Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti.

Ndërsa, ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura.

Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen.

Dekreti ishte hartuar duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën Sovjetike, siç thotë relacioni bashkangjitur dekretit.

Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.

Pra, më mirë gjobë për një puthje, a më mirë tatim beqarie?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat