Tentativa për arratisje e Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetrit, punonjësit e burgut “313” tregojnë si dështoi plani

Shqipëria

Tentativa për arratisje e Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetrit, punonjësit e burgut “313” tregojnë si dështoi plani

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 11:48
Foto ilustrim

Punonjësit e burgut “313” kanë dhënë detajet e hollësishme të tentativës për t’u arratisur të dy të burgosurve, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët kanë bashkëpunuar edhe me të dënuarin tjetër Lulzim Çepele, që i ka paraprirë ngjarjes duke prerë damarët.

Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, të siguruar nga gazeta “Panorama”, renditen dëshmitë e punonjësve të burgut që kanë treguar se Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri jo vetëm kanë tentuar të arratisen, por edhe kanë dhunuar policët.

Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se ka dyshime të arsyeshme se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, efektivët e burgut “313” Gëzim Ramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muça, Olti Myzyri, Redion Maloku dhe Edmon Prenga mund të kenë shpërdoruar detyrën.

Dyshimet janë ngritur, pasi ata nuk kanë ushtruar kontroll fizik te Fatmir Pjetri, i cili kishte me vete një çantë, ku kishte futur çarçafin e gërshetuar si litar dhe çengelin. Prokuroria e ka deklaruar këtë edhe para trupës gjykuese, duke theksuar se ka nisur hetimet edhe për ta.

Më poshtë, dëshmitë e 5 punonjësve të burgut, që kanë treguar ngjarjen.

DESHMITE E GARDIANEVE TE BURGUT 313

Çarçafët që përdorën dy të dënuarit për të zbritur nga
tarraca dhe çegeli që goditën policin

“Kam marrë shërbimin si çdo ditë në orën 08:00 të mëngjesit. Pasi kam marrë çelësat te oficeri i rojës, jam futur brenda në sektor në godinën A, ku kam shkuar në vendin tim të punës, i cili është lart në ajrosje. Deri në orën 12:00 kam qëndruar në ajrosje dhe më pas pasi mbaroi orari i ajrosjes kam qëndruar në dhomat e gatshme ku rrimë gjithnjë. Para se të dilja përsëri në ajrosje kam parë një të paraburgosur, i cili kishte prerë dorën dhe shkoi tek infermieria.

Më pas rreth orës 14:50 kam shkuar përsëri në vendin e punës lart në ajrosje, pasi në orën 15:00 hapet ajrosja përsëri. Në vendin e punës ku unë shërbej dalin në të njëjtën kohë sektorët 1/2 i katit të 2-të dhe në krahun tjetër del sektori 2/3 dhe 2/5 të katit të 2-të. Pasi mora përsëri shërbimin dhe u bëra gati për të pritur të paraburgosurit në ajrosje, vura re se dy të paraburgosur hapën rrjetën dhe hipën mbi zgarën e ajrosjes.

Kam shkuar në vend roje për t’i ndaluar dhe arrita vetëm të kapja me një dorë Fatmir Pjetrin, por nuk arrita ta ndaloja pasi më iku duke iu drejtuar fundit të ajrosjes, ku aty lidhën litarin dhe e hodhën në krahun e oborrit.

Në moment kam bërtitur për të më dëgjuar polici poshtë kolonës dhe kam shkuar që të hap derën e daljes nga sektori në ajrosje, pasi ishte mbyllur me shul nga të dy të paraburgosurit dhe kanë ardhur dy policë të gatshëm, Edmond Prenga dhe Olti Myziri, të cilët hipën lart sipër zgarës së ajrosjes, shkuan deri në fund për të parë të dënuarit dhe u kthyen, pasi nuk panë asgjë. Më pas kam qëndruar në vendin tim të punës deri në momentin që kanë ardhur ekspertët për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes”.

“Kam marrë shërbimin si çdo ditë në orën 08:00 të mëngjesit. Pasi kam marrë shërbimin kemi konstatuar elementët e sigurisë, të cilët ishin në rregull dhe pa probleme. Rreth orës 08:00-12:00 kanë vazhduar ajrimet pa probleme. Rreth orës 15:00 jemi ngjitur te bokset e ajrimit për të filluar ajrimin e pasdites për të paraburgosurit. Sipas grafikut ka pasur ajrim sektori 2/4 dhe 2/5.

Kanë dalë për ajrim sektori nr.1 në krahun e ajrosjes tjetër, gjatë daljes në ajrim kam parë punonjësin e Policisë së ajrosjes tjetër po bënte debat me të paraburgosurin Arbër Çekaj, i cili kishte hipur sipër zgarës lart dhe mua mu duk sikur e kapi për këmbe, por nuk e neutralizoi. Në këtë moment duke qenë dhe më trup të gjatë ka hapur rrjetën sipër dhe është ngjitur në zgarë. I kam bërtitur punonjësit të Policisë, Fiqiri Halilit, që të njoftojnë informacionin për ngjarjen pasi ne nuk kishim as telefon dhe as radio. Nuk kam parë asgjë më shumë pas këtij momenti”.

“Sot rreth orës 15:00, më ka lajmëruar polici i kolonës 2-1, kati i dytë godina A, më tha se i paraburgosuri me mbiemër Çepele është dërguar në infermieri, pasi kishte prerë damarët e dorës.

Unë dhe kolegu Vladimir Myrto shkuam te infermierja, pasi i dënuari kishte shumë rrjedhje gjaku nga dora e djathtë, te pjesa e parakrahut. Pas kësaj, mjekja, Bejaze Jaho, doli jashtë regjimit dhe komunikoi me mjeken e institucionit, të cilës nuk ia mbaj mend emrin dhe u vendos që i paraburgosuri të shkojë në spital për të qepur plagën e tij.

Rreth orës 15:20, po mua dhe Vladimirit, na u ngarkua detyra nga oficeri i formacionit që të dilnim së bashku me të dënuarin për ta shoqëruar atë në spital.

Sapo ishim afruar te porta hyrëse e regjimit të brendshëm që të çon te zyra e specialistit të informacionit, në ato momente dëgjuam zhurma e britma nga ana e punonjësve të Policisë, në atë moment hapi derën ndihmësi i informacionit me mbiemër Aliallmeta dhe ne hymë te holli te specialisti i informacionit dhe ndërkohë polici i kontrollit, Shefki Mema, na tha që po arratisen pa përmendur emrat.

Në këtë moment, të paraburgosurin Çepele të prangosur që po e shoqëronim, ia lashë Shefkiut dhe dola së bashku me Vladimirin me vrap dhe në atë moment panë që i paraburgosuri Pjetër, mbiemri nuk më kujtohet, ishte shtrirë dhe i neutralizuar nga polici i godinës B dhe ndërkohë, zbret shkallët i paraburgosuri Arbër Çekaj, shkallët që të nxjerrin tek oborri jashtë dhe unë së bashku me Vladimirin dhe Aliallmetën i jemi hedhur përsipër për ta neutralizuar dhe e prangosëm dhe e kemi futur menjëherë te kontrolli gjithashtu së bashku me të paraburgosurin, Pjetër.

Saktësoj që në momentin që dola jashtë dhe pashë të paraburgosurin Pjetër që ishte neutralizuar, pashë dhe specialistin e informacionit Myfit të gjakosur te zona e kokës, dhe kishte pika gjaku. Në momentin që të dy të paraburgosurit u neutralizuan sa pashë e dëgjova nuk përmendën ndonjë fjalë dhe nuk bënë asnjë lloj rezistence.

Dua të saktësoj që në atë moment kur dola jashtë, dera e jashtme e institucionit ka qenë e mbyllur me çelës për këtë jam i bindur, pasi menjëherë pasi i shoqërova të paraburgosurit Arbër dhe Pjetër jam kthyer te dera, te postblloku dhe e kam parë vetë që ishte e mbyllur me çelës dhe me shul sipas rregullit.

Dera ka qenë e mbyllur dhe me sa pashë nuk u afrua ndokush te dera, as nga brenda dhe as nga jashtë. Rreth 10 minuta më vonë, di që ka ardhur dhe Policia e Shtetit në institucion”.

NDIHMESI I INFORMACIONIT, ALI ALLMETA

“Kam marrë shërbimin në orën 06:15, u njoha me detyrat dhe kam dalë për të rreshtuar turnin e parë të efektivëve. Pas instruktazhit të bërë nga sektori i informacionit, futemi bashkë me trupën për kontrollin fizik te skaneri dhe i shoqërojmë në godina sipas sektorëve.

Kam vazhduar me praktikat e punës si çdo ditë tjetër deri në orën 14:30, ku u lajmëruam në telefonin e informacionit nga infermierja se i paraburgosur Lulzim Çepele ka prerë damarët e dorës. Specialisti i informacionit më dërgoi për të thirrur infermieren që të komunikoj me doktoreshën, ku pas komunikimit të tyre u vendos që do dërgohej në urgjencë.

Rreth orës 14:50 marr detyrë nga sektori i informacionit që të merrja të paraburgosurin e dëmtuar, dy punonjës të rolit bazë të gatshëm dhe specialistin e trupës për të dërguar në urgjencë.

Në moment që dalim në tunel, kemi dëgjuar nga jashtë derës zhurma dhe të bërtitura dhe në këtë moment kemi lënë të paraburgosurin te kontrolli me policin e rolit bazë dhe unë me dy të grupit të sigurisë dhe specialistin e trupës kemi dalë jashtë në oborr.

Aty kam parë specialistin e sektorit të informacionit të gjakosur dhe punonjësin e sigurisë Lefter Hysenlika, i cili kishte neutralizuar të paraburgosurin Fatmir Pjetri, më pas kemi parë dhe të paraburgosurin Arbër Çekaj duke goditur policin e sigurisë te porta e jashtme dhe kemi ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe e prangosur. Më pas i bëmë kontroll dhe i shoqëruam në veçim”.

SPECIALIST INFORMACIONI, MYFIT XHEKA

“Në orën 06:30 kam marrë shërbimin deri në orën 19:00, ku unë kam si detyrë për të menaxhuar gjithë aktivitetin e institucionit. Rreth orës 14:20 më njoftoi përgjegjësi, specialist i trupës, Gëzim Rramushi dhe më tha se i paraburgosuri Lulëzim Qepele në dhomën nr.4, sektori 3, kati i dytë, godina A, kishte dëmtuar damarët e dorës së djathtë dhe u shoqërua në infermieri për ndihmë mjekësore. Infermieria ndodhet brenda godinës në katin e parë.

Shkova vetë në infermieri dhe ndihmësmjekja më rekomandoi se ka nevojë për qepje në spital. Bëra njoftimin e sallës operative të Drejtorisë së Përgjithshme, drejtorin e institucionit dhe shefin e policisë për të bërë shoqërimin e këtij të dënuari, për të shoqëruar për vizitë te Spitali i Traumës.

Njëkohësisht njoftova shoferin e ambulancës për të ardhur në institucion dhe për të marrë masa për shoqërimin e tij. Isha në pritje të ardhjes së personelit për të mundësuar lëvizjen e tij. Në orën 14:55 fus ndihmë specialistin për të nxjerrë një të gatshëm nga godina A dhe bëra njoftimin te godina B për të marrë një të gatshëm, në kohën që punonjësi i Policisë, Lefter Hysenlika, te godina B, për të dalë te zyra e informacionit ka parë se te muri i godinës A, në faqen veriore nga tarraca e ajrimit, ishte një i burgosur duke u kacavjerrë me një litar. Ky punonjës konstatoi edhe se Fatmir Pjetri ishte në gjysmë lartësi, duke zbritur me litar për te shkallët e hyrjes së administratës.

Menjëherë jam ngjitur vetë i parë për të bërë neutralizimin e këtij të paraburgosuri. Ai kishte në dorë një hekur në formë harku. Në shesh pushimin e shkallëve të administratës u përballa me të.

Duke e ndaluar atë më ka goditur me hekur në kokë duke më dëmtuar në pjesën e kokës, në anën e majtë. Pastaj u hodh nga sheshpushimi i shkallëve në sheshin poshtë në dysheme. Ka shkuar dhe ka goditur me këtë levë edhe punonjësin e portës. Kam shkuar menjëherë nga mbrapa dhe së bashku me punonjësin e portës, Hekuran Sina, kemi neutralizuar të paraburgosurin Fatmir Pjetri.

Në këtë kohë i paraburgosuri tjetër, Arbër Çekaj, ishte duke zbritur në të njëjtin litarë ku zbriti dhe Fatmir Pjetri. Në këtë kohë ka arritur të zbresë Arbër Çekaj dhe iu drejtua portës kryesore, ku ishim dhe ne me personin e ndaluar.

Ka dalë punonjësi i sigurisë, shtetasi Gëzim Nikoqi dhe specialisti i trupës Gëzim Ramushi dhe bërë shoqërimi në dhomat e veçimit, ndërsa më pas te dhoma e informacionit kam marrë ndihmën mjekësore nga ndihmësmjekja, kam bërë njoftimet, në fillim drejtorin e burgjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat