Korça qyteti i festave! Shumica e hoteleve janë plot për Krishtlindje dhe Vit të Ri, turistët e huaj: Është vend i mrekullueshëm

Shqipëria

Korça qyteti i festave! Shumica e hoteleve janë plot për Krishtlindje dhe Vit të Ri, turistët e huaj: Është vend i mrekullueshëm

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 15:03
Korça qyteti i festave

Korça është një ndër qytetet më të njohura në vend për festat e fundvitit ku qindra qytetarë zgjedhin t’i kalojnë atje. Këtë vit sipas menaxherëve të hoteleve, ambientet akomoduese janë prenotuar të gjitha për krishtlindje dhe Vit të Ri, ndërsa është parë rritje e  të interesuarve për të kaluar festat atje.

Na ndajnë vetëm 3 javë deri në fundvit, ndërsa në Korçë fundjavat janë plot me vizitorë.

Qindra turistë po vizitojnë qytetin, ndërsa menaxherët e hoteleve flasin për kërkesa të shtuara për festat e fundvitit.

"Për këtë fundvit ka pasur shumë kërkesa si për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri, janë bërë rezervimet që para dy javësh. Janë mbyllur të gjitha dhomat si për muajin dhjetor dhe fillim janari."

Korça do të presë për krishtlindje dhe fundvit turistë vendas por edhe të huaj.

"Shumica kanë qenë nga pjesa e Tiranës, Durrësi, veriorë ka pasur shumë. Dhe nga Kosova kemi pasur mjaft kërkesa, gjithashtu edhe nga jashtë shtetit. Kemi kërkesa edhe nga Dubai."

Ata që kanë zgjedhur Korçën për të kaluar fundjavat, janë të mahnitur me qytetin.

"Unë jam nga India, po udhëtoj nëpër Shqipëri prej dy muajsh. Kam qenë në Sarandë, në Tiranë dhe këtu në Korçë është shumë bukur, Pazari është shumë i mirë. Unë jam vegjetarian, pro gjithsesi ushqimi është i mrekullueshëm dhe e kam shijuar pafund."

Të huajt thonë se do të kthehen përsëri në qytet.

"Unë kam ardhur mbrëmjen e kaluar në Korçë, më herët ishim në Pogradec. Është shumë mirë këtu, mezi po pres që ta shoh të gjithë qytetin, por deri më tani është i jashtëzakonshëm. Unë po mendoj që të vijë përsëri për Krishtlindje."

Korça është një ndër qytetet më të njohura për festimin e Krishtlindjeve në vendin tonë, ndaj qindra turistë e zgjedhin atë për të kaluar festat e fundvitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat