Marrëveshja me Anglinë për migracionin e parregullt, ministri Çuçi: Në përputhje me normat ndërkombëtare

Shqipëria

Marrëveshja me Anglinë për migracionin e parregullt, ministri Çuçi: Në përputhje me normat ndërkombëtare

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 11:18
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, foli sot në Kuvend për marrëveshjen me Britaninë e Madhe për migracionin e parregullt. Ministri theksoi se kjo marrëveshje duhet rinovuar, për shkak të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Sipas ministrit shqiptar, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Shqipëria dhe Britania do të forcojnë bashkëpunimin mbi migracionin e parregullt dhe sigurinë e brendshme.

“Marrëveshja që kemi sjellë sot nuk është diçka e re. Ne kemi pasur marrëveshje bilaterale me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut që prej vitit 2003, sa i takon riatdhesimit. Por, zhvillimet ndërkombëtare lindën nevojën e rinovimit të këtij instrumenti juridik. Kjo marrëveshje vjen edhe si propozim i qeverisë britanike në kuadër të daljes së saj nga BE. Kjo marrëveshje është hartuar duke u bazuar në frymën e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Me ratifikimin e marrëveshjes të dy vendet tona zotohen për ngritjen e një kuadri ligjor në përputhje me normat ndërkombëtare të OKB. Shqipëria dhe Britania do të forcojnë bashkëpunimin mbi migracionin e parregullt. Të dy vendet do të zhvillojnë bashkëpunim në fushën e migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme.

Vizioni dhe masat e parashikuara janë ambiciozë dhe përmes tyre synohet t’iu jepet përgjigje sfidave dhe të përballohen nevojat. Kam gjetur mirëkuptim nga pala britanike për integrimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Marrëveshja parashikon verifikimin dhe identifikimin e personave, duke konsultuar bazën e të dhënave. Shërbimet kufitare do të forcojnë bashkëpunimin e tyre për migracionet e parregullta, që do të konsistojë në shkëmbimin e informacionit, si dhe do të shfrytëzohen praktikat më të mira. Shpreh bindjen se rinovimi i kësaj marrëveshjeje është instrument i rëndësishëm dypalësh për të adresuar flukset migratore në një kontekst krejtësisht të ri”, u shpreh ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat