Rama paralajmëron biznesin: Rregulloni deklarimet e pagave deri më 20 janar ose do dënoheni për evazion fiskal

Shqipëria

Rama paralajmëron biznesin: Rregulloni deklarimet e pagave deri më 20 janar ose do dënoheni për evazion fiskal

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 11:50
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte e konsideroi publikimin e pagave të qytetarëve si një ngjarje të shëmtuar duke mos harruar t’i bëjë thirrje kompanive private që të vetërregullohen deri më 20 janar ose përndryshe do të dënohen për evazion fiskal.

Në një konferencë për mediat, Rama tha se një ngjarje e tillë mund të konsiderohet “si një e keqe që s’vjen gjithmonë për keq”, për të cilën tha se ekspozimi i pagave personale është i papranueshëm, por sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve.

“Me pagat ka ndodhur së fundmi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon Prokurorisë, e cila po heton në mënuyrë intensive. Kam arsye të besoj se do kemi rezultate dhe kush e ka bërë, do përgjigjet para ligjit. Në këndvështrimin më afatmesëm, kjo ngjarje mund të quhet edhe siç thuhet, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Ekspozimi i të dhënave personale me pagat është i papranueshëm, por nga ana tjetër, sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve që kanë parë atë pasqyrë. Askush mos të thonë se po sulmojmë dikë. Ne kemi kohë që i dimë pagat. Nuk është një situatë e ngjashme me ato më parë, por është e papranueshme. Askush nuk mund të thotë që po sulmojmë mediat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do u kërkohet kompanive private në Shqipëri që të vetërregullohen deri më 20 janar, pasi kjo datë korrespondon me rregullimet e reja.

“Të gjitha ato kompani që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet. Në dijeninë time ka nisur apo do nisë një letër për tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë në mospërputhje flagrante me kapacitetet e tyre, duke ju kërkuar të vetëdeklarohen deri në 20 janar. Dhe në rast mosvetërregullimi do ketë hetim të thelluar për evazion. Evazioni dënohet me burg”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat