Publikimi i listës së pagave, qeveria nënshkruan marrëveshje për mbrojtjen kibernetike

Shqipëria

Publikimi i listës së pagave, qeveria nënshkruan marrëveshje për mbrojtjen kibernetike

Më: 10 janar 2022 Në ora: 19:34
Edi Rama

Pak ditë pas publikimit të listës së pagave dhe targave qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje për sigurinë kibernetike me kompaninë ndërkombëtare Jones International. Duket se këshilli i ministrave ka pasur në axhendë vetëm këtë pikë, pasi ky është vendimi i vetëm që ka prodhuar mbledhja e sotme e qeverisë.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Grupit Jones International, për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Kjo marrëveshje u paralajmërua pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp menjëherë pas publikimit të skandalit. Rama tha se kjo kompani konsiderohet një prej forcave më të mëdha të ekselencës së mbrojtjes kibernetike.

“Për të forcuar sistemin tonë të mbrojtjes, ne po punojmë, në bazë të marrëveshjes sonë me qeverinë amerikane, të tetorit, për të përfshirë në këtë sistem një prej forcave më të mëdha të ekselencës së mbrojtjes kibernetike, që është General Jones kompania që mban emrin e krijuesit të saj, gjeneralit Jones, që ka qenë drejtuesi i gjithë forcave të NATO-s dhe që është e përfshirë aktualisht në vendin tonë në mbrojtjen kibernetike të OST dhe KESH”, deklaroi Rama. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat