I akuzuar për vrasjen e Alkis Kampanos, rrëfehet përballë prokurorëve grek 20-vjeçari që u dorëzua në policinë e Korçës

Shqipëria

I akuzuar për vrasjen e Alkis Kampanos, rrëfehet përballë prokurorëve grek 20-vjeçari që u dorëzua në policinë e Korçës

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 16:51
Roxhers Demirazi

Roxhers Demirazi, 20-vjeçari shqiptar  i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e të riut grek Alkis Kampanos, ka dalë sot përballë prokurorëve grek, një ditë pas dorëzimit në policinë e Korçës dhe ekstradimit drejt Greqisë.

20-vjeçari ka pohuar se nuk është ai personi që qëlloi mbi 19-vjeçarin Kampanos. Në dëshminë përballë organit të akuzës shqiptari thekson se ditën e ngjarjes nuk mbante asnjë send të paligjshëm me vete dhe se nuk ka goditur askënd.

“Isha në makinë, në sediljen pas pasagjerit. Nuk kisha asnjë send me vete, nuk kam arritur të godas askënd. Unë thjesht ndoqa nga pas disa njerëz,” deklaroi shqiptari.

Dëshmia u bë e ditur për mediat greke nga avokati i 20-vjeçarit shqiptar, Paraskeva Spyratos.

20-vjeçari fillimisht u dorëzua mesditën e djeshme në Komisariatin e Korçës. Ai shoqërohej nga babai i tij, i cili pasi e ka dorëzuar në polici është larguar nga vendi i ngjarjes.

I akuzuari për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos u transferua në orën 1 të mëngjesit nga Krystallopigi në Komisariatin e Selanikut, me pretendimin se “kam qenë në ngjarje por nuk e kam vrarë”. Ai akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e 19-vjeçarit grek, pas sherrit mes dy tifozërive në Selanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat