Shqiptarët e Ukrainës kërkojnë ndihmë, i pamundur evakuimi i tyre drejt Shqipërisë

Shqipëria

Shqiptarët e Ukrainës kërkojnë ndihmë, i pamundur evakuimi i tyre drejt Shqipërisë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 15:55
Ilustrim

Shqiptarët që jetojnë prej shekujsh në Ukrainë, por dhe ata që janë në qytetin e Kharkovit dhe 3 fshatra të rajonit të Zaporozhyes në Ukrainë, qytete që prej më shumë se një jave janë në qendër të sulmeve të ushtrisë ruse, nuk mund të evakuohen drejt Shqipërisë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë Ministrisë sonë të Jashtme, të cilët thonë se për shkak të numrit të madh të anëtarëve të familjeve shqiptare, shihet praktikisht e pamundur lëvizja e tyre.

Deri më tani, thonë burimet, të vetmit që janë larguar janë 15 shqiptarë që punojnë në organizatat e OSBE në Ukrainë.

Burimet thanë se megjithatë, kontaktet me komunitetin shqiptar në Ukrainë po mbahen përmes konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, Shahin Omarov, i cili i ka ndihmuar dhe për strehim edhe për ushqime.

Kryetari i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës, Aleksandër Dermentli, në profilin e tij në “Facebook” ka bërë thirrje për më shumë ndihma nga ana e atdheut, Shqipërisë në drejtim të komunitetit shqiptar në Ukrainë.

Ai ka kërkuar më herët dhe ndihmë për evakuimin drejt Shqipërisë, por nga ana e Ministrisë së Jashtme përgjigja ka qenë negative, për shkak të një mungese të informacionit zyrtar se sa është numri real nga ky komunitet.

urimet në Ministrinë e Jashtme thanë se ndryshe nga vendet e tjera, ku është kërkuar regjistrimi i shqiptarëve pranë konsullatave tona, komuniteti shqiptar i Ukrainës ka refuzuar të japë informacion për numrin e tyre dhe kontaktet.

Ndërkohë, vetë kreu i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, shkruan në profilin e tij në “Facebook” se i kërkon të gjithë shqiptarëve të bashkohen.

“Ndihma humanitare është e nevojshme për qytetin e Kharkovit, ku ndodhet Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë në Ukrainë dhe për 3 fshatra të rajonit të Zaporozhyes ku jetojnë në mënyrë kompakte shqiptarët”, shkruan Dermentli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat