Qendra Infoçip: Krimet zgjedhore mbeten pa ndëshkim/ Vetëm një nga 140 çështje u gjykua deri në fund

Shqipëria

Qendra Infoçip: Krimet zgjedhore mbeten pa ndëshkim/ Vetëm një nga 140 çështje u gjykua deri në fund

Më: 19 prill 2022 Në ora: 19:12
Foto ilustrim

Në Shqipëri, Qendra Studimore Infoçip vlerëson se krimet zgjedhore mbeten pa u gjykuar e ndëshkuar, megjithë numrin e lartë të denoncimeve dhe ashpërsimin e Kodit Penal.

Sipas studimit më të fundit të kësaj Qendre, një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme, nga 140 procedime penale për krime zgjedhore, është gjykuar deri në fund vetëm një prej ketyre rasteve.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u kryen 291 kallzime penale, nga të cilat 115 në SPAK dhe 176 kallzime në prokuroritë e rretheve.

Nga këto 291 kallzime, prokuroria regjistroi 140 procedime penale, ose më pak se gjysmën e tyre, dhe nga këto 140 procedime vetëm një rast është gjykuar plotësisht deri në fund të vitit,

“Nëse kalojnë 6 muaj, duhet të përgatitemi se nuk ka ndëshkim për krimet zgjedhore të denoncuara. Edhe në këto zgjedhje krimet zgjedhore mbetën të pandëshkuara. Kjo analizë nuk bëhet në Shqipëri. Duket si një proces i lënë në mes të rrugës. Produktiviteti apo eficensa e prokurorisë vazhdon të jetë shumë e ulët sa i takon hetimit të krimeve zgjedhore” - thotë Gert Shella, drejtues i Qendrës Infoçip dhe bashkautor i studimit.

Nga 80 procedimet e SPAK vetëm një ka shkuar deri në fund. I vetmi rast i gjykuar dhe dënuar nga gjykata prej denoncimeve të vitit 2021 janë dy drejtorët e bashkisë së Dibrës, që u kapën nga militantë të opozitës, duke qarkulluar me para dhe karta identiteti të votuesve.

Në zgjedhjet e 5 viteve më parë nuk u dënua asnjë person për krime zgjedhore, ndonëse parlamenti ashpërsoi ndëshkimet penale kundër krimeve zgjedhore, duke i cilësuar ato nga kundravajtje në vepër kriminale.

Por nga 190 kallzime për krime zgjedhore në vitin 2017 prokuroria regjistroi vetëm 64 procedime penale, pra një e treta.

Nga këto në gjykatë shkuan vetëm 8 procedime penale, por as prej tyre nuk u dënua asnjë person për krime zgjedhore.

“Duket se edhe vet palët janë rrezikuar të mos e kthejnë kokën pas. Gjithë çfarë ndodh, ndodh për t’u konsumuar aty për aty në kohë fushate. Kjo tregon një mungesë serioziteti të thellë nga ata që depozitojnë kallzime, të cilët nuk merren më me to, sepse nuk ka apelim kundër pushimit të çështjeve. Kjo tregon se vet ata që e nisën procesin kanë zgjedhur ta lënë atë në mes të rrugës. Nga ana tjetër, duket se nuk ka gadishmëri nga organi i akuzës të afirmojë gjurmën e vet” - thotë zoti Shella.

Studimi vëren se 140 procedime nuk janë shpallur zyrtarisht si kallzime të rreme, afro gjysma e tyre procedimeve janë pushuar me vendim gjykate, por pala kallzuese nuk është ankuar.

Çështjet janë tani përtej cdo afati ligjor, sepse prokuroritë e zakonshme mund t’i hetojnë brenda 3 muajsh, ndërsa SPAK brenda 6 muajsh, edhe nëse kërkojnë zgjatje dyfish të kohës së hetimit.

Edhe çështja e patronazhistëve kaloi në prokuroritë e zakonshme dhe deri tani as për atë cështje nuk ka një konkluzion hetimor.

Statistikat dhe përvoja e mosndëshkimit në dy zgjedhjet e fundit, pohojnë ekspertët e Infoçip, nuk japin shkas për optimizëm që zgjedhjet e ardhshme do të kenë integritet dhe mbrojtje nga krimet zgjedhore, apo që militantët do të kenë frikë të përsëritin blerjen e votave, kërcënimin e votuesve, dhe shtrëmbërimin e rezultateve zgjedhore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat