Raporti i monitorimit/ Si e fshehën krimin zgjedhor SPAK dhe prokuroritë e rretheve

Shqipëria

Raporti i monitorimit/ Si e fshehën krimin zgjedhor SPAK dhe prokuroritë e rretheve

Më: 23 prill 2022 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

INFOCIP-i dokumentoi krimi zgjedhor, bazuar në kallëzime dhe referime të adresuara në drejtim të prokurorive të vendit.

Nisma kishte të bënte me marrjen përsipër të SPAK për të hetuar të gjitha ato vepra penale me sfond zgjedhor me anë të së cilës u mendua se do të arrihej jo vetëm që të minimizohej sadopak krimi në fushën e zgjedhjeve po madje, kësaj here, të kishte më shumë persona të dalë para gjykatës për shkak të shitblerjes së votës apo edhe akteve të tjera që lidhen me zgjedhjet!

Pati një lumë kallëzimesh nga subjekti politik PD, po ashtu edhe nga Institucioni i Presidentit të Republikës, por vetëm një kallëzim, rezultoi të përfundonte në duart e Gjykatës dhe të shkonte në dënim.

Të gjithë të tjerët nuk dihet se ku kanë përfunduar, ndërkohë që prej më shumë se një viti të gjitha prokuroritë e rretheve, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme paraqesin vetëm shifra të regjistrimit apo të pushimit të çështjeve pa treguar në asnjë rast se çfarë ka ndodhur vërtet me kallëzimet e bëra në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ishte INFOCIP që nisi të dokumentonte çdo rast të kallëzuar, referuar dhe të denoncuar edhe publikisht. Me një punë intensive 1 vjeçare ky Institut përpunoi të dhënat që dilnin nga të gjitha prokuroritë, i dokumentoi dhe i paraqiti edhe publikisht duke tentuar të zgjojë institucionet hetimore të bënin punën e tyre po edhe kallëzuesit të mos i braktisnin kallëzimet e tyre me anë të të cilave ishin të paditur qindra zyrtarë dhe ish-zyrtarë shtetërorë.

Por me sa duket kallëzuesit i ‘harruan’ e po ashtu edhe prokuroritë në përgjithësi dhe SPAKU në veçanti nuk i morën seriozisht, e për pasojë, krimi zgjedhor qëndron ende i pahetuar dhe i pandëshkuar!

RAPORTI I KRIMIT ZGJEDHOR 

INFOCIP vëzhgoi incidentet zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin të mbajtura në 25 prill 2021, dhe dokumentoi rastet e krimeve zgjedhore të dyshuara që u kallëzuan në organin e akuzës. Monitorimi mbuloi periudhën zgjedhore dhe u shtri deri në janar të këtij viti. Rakordimi i fundit me organin e akuzës dhe KQZnë mësohet se është mbyllur javën e fundit të janari.

Burimet zyrtare të përdorura për mbledhjen e informacionit ishin subjektet zgjedhore, Policia e Shtetit, prokuroritë e rretheve, SPAK-u dhe KQZ-ja. Burime të tjera referimi janë organet mediatike që raportuan mbi situatën zgjedhore, por edhe institucionet shtetërore që sinjalizuan prokurorinë për prezencë të mundshme të krimeve zgjedhore nëpër disa qarqe dhe rrethe. INFOCIP-i mblodhi informacione në rrugë operative mbi numrin e kallëzimeve penale dhe ecurinë e hetimeve përmes një ekipi monitoruesish.

Gjatë vitit 2021, Prokuroria e Përgjithshme informoi publikun dhe median 6 herë zyrtarisht mbi situatën e krimeve zgjedhore. Sipas njoftimit të fundit të shpërndarë në datë 2 nëntor 2021, në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm u regjistruan 158 njoftime/ kallëzime për vepra penale që prekën zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Prej tyre, 91 ishin drejtpërdrejt në formën e kallëzimeve dhe pjesa tjetër ishin referime nga Policia e Shtetit dhe kërkesa për hetim nga institucione të tjera. Prokuroritë e rretheve gjyqësore regjistruan 82 procedime për vepra penale që cenojnë zgjedhjet, prej të cilave 2 u regjistruan kryesisht.

Sipas të dhënave që u mblodhën direkt nga 22 prokuroritë e rretheve prej monitoruesve të INFOCIP u raportua për 148 kallëzime apo referime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Kjo shifër (148) përkon edhe me të dhënat që dokumentoi INFOCIP gjatë periudhës zgjedhore, me burim subjektet që depozituan kallëzime.

Rreth 74 prej tyre janë të dokumentuara me faksimile, që i përkasin kryesisht kallëzuesit Partia Demokratike.

KOMISIONERI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Në datë 3 dhjetor 2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, njoftoi zyrtarisht vendimin për të kallëzuar penalisht pranë organit të prokurorisë shkeljet e konstatuara nga komisionerët dhe stafet ndihmëse në 10% të qendrave të numërimit.

KQZ depozitoi kallëzime penale për shkeljet e konstatuara nga 67 anëtarë të 18 grupeve të numërimit. Këto kallëzime janë dërguar në 7 prokurori, përkatësisht Korçë, Berat, Gjirokastër, Tiranë, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

KQZ konfirmoi gjithashtu se nga procesi i kryqëzimit të të dhënave të pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) është konstatuar identifikim i dyfishtë në 32 raste.

Për këto parregullsi KQZ depozitoi gjithashtu kallëzim penal në 11 prokurori, konkretisht Prokuroria Vlorë, Tirane, Shkodër, Lezhë, Korçë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës, Dibër, Berat. Bazuar në sa më sipër, KQZ ka depozituar të paktën 18 kallëzime penale në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm gjatë muajit dhjetor 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat