Ndalimi i qeseve në Shqipëri përshëndetet në ministerialin e Vjenës

Shqipëria

Ndalimi i qeseve në Shqipëri përshëndetet në ministerialin e Vjenës

Më: 31 maj 2022 Në ora: 22:26
Foto ilustrim

Nisma e Shqipërisë për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme u përgëzua në Vjenë, gjatë punimeve të ministerialit të Tratolow. Në këtë takim mes ministrave të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe ministres së Austrisë, Mirela Kumbaro prezantoi nismën e Shqipërisë për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme duke nisur prej 1 qershorit 2022 si një përpjekje konkrete në fushën e mjedisit.

“Kam besuar gjithmonë se na duhen shembuj konkretë për angazhimet tona. Shqipëria ka marrë dy vendime të rëndësishme në këto muaj të vitit 2022. Së pari, rritjen e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura nga 17% në 21% të territorit. Dhe nisma e dytë që hyn në fuqi nesër, është ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimshe. Jo më kot zbatimi i këtij ligji fillon më 1 qershor, sepse në Shqipëri kjo është dita e fëmijëve, dedikuar atyre dhe ne duam t’u japim një të ardhme pa plastikë. Është vetëm hapi i parë i një serie masash që duam të ndërmarrim për reduktimin e plastikës”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në ministerialin e Ballkanit Perëndimor për tranzicionin drejt energjisë së pastër, njofton Zyra e Shtypit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Kumbaro pati edhe një takim me homologen austriake, Leonore Gewessler, Ministre për Angazhimet Klimatike dhe Energjinë, e cila vlerësoi vendimin e fortë të Shqipërisë për të ndaluar qeset plastike njëpërdorimshe. Po ashtu, ministrja e Malit të Zi Ana Novakovid Djurkoviq përgëzoi Shqipërinë për vendimin e marrë për ndalimin e qeseve plastike dhe lajmëroi se edhe Mali i Zi do të ndjekë të njëjtën rrugë duke miratuar ligjin brenda këtij viti.

“Përgëzoj Shqipërinë që nga nesër ndalon qeset plastike njëpërdorimshe. Urime, edhe ne në Malin e Zi kemi nisur punën të bëjmë të njëjtën gjë”, u shpreh gjatë ministerialit Djurkovic.

Ligji për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe u miratua në Parlamentin shqiptar më 17 mars, ndërsa hyn në fuqi më 1 qershor. Ky ligj parashikon ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme me trashësi të mureve të qeses për çdo anë jo më pak se 70 mikron, me kapacitet mbajtës jo më pak se 10 kilogramë dhe me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat