Presidentët e Shqipërisë nga Ramiz Alia tek Bajram Begaj

Shqipëria

Presidentët e Shqipërisë nga Ramiz Alia tek Bajram Begaj

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 20:45
Bajram Begaj

Presidentet e Shqipërisë pluraliste që nga viti 1991, kanë qenë kryesisht honorifik në postin e tyre me përjashtim të presidentëve të parë, Alia e Berisha. Të tjerët që pasuan kanë patur kompetenca më të pakta se kryeministrat që i kanë propozuar. 

Kryeministrat kanë qenë ata që kanë patur pushtetin, ndërkohë që presidentët kanë qenë shtojcë e pushtetit edhe pse kanë qëndruar në kupolën e shtetit.

Nga Ramiz Alia deri te Bajram Begaj, Shqipëria pas rrëzimit të sistemit komunist ka patur 8 presidentë, te zgjedhur në parlament pas rrëzimit të diktaturës. Nga këto 8 presidentë, 4 prej tyre janë zgjedhur nga PD parti që konsiderohet e djathtë në vendin tonë.

RAMIZ ALIA (kryetar i Presidiumit dhe President)DITËLINDJA: 18 tetor 1925

VENDLINDJA: Shkodër

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: Nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 9 vjet, 4 muaj e 11 ditë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën 57 vjeç, 1 muaj 4 ditë dhe e la 66 vjeç, 6 muaj e 16 ditë.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011

Ramiz Alia është i pari president gjatë regjimit komunist, që arriti të kishte pushtet të fortë. Kjo jo për shkak të detyrës së kreut të shtetit, por për shkak se bashkë me detyrën e presidentit, ai mori edhe detyrën e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH. Pasardhës i Enver Hoxhës në detyrën politike, në një farë mënyre, ai, pa dashje, i dha pushtet edhe detyrës së kreut të shtetit. Edhe pse nga të huajt u cilësua Gorbaçovi i Ballkanit, Ramiz Alia gjatë ushtrimit të detyrës, kishte dy anë: Si president që nuk lejoi gjakderdhje gjatë rrëzimit të sistemit komunist dhe, nga ana tjetër, nuk shpejtoi proceset demokratike. Ramiz Alia është presidenti i parë i zgjedhur me vota në kuvend, por, në këtë zgjedhje, ai ishte kandidaturë e Partisë së Punës që funksiononte, ende, në atë kohë. Mandati i marrë nuk zgjati më shumë se 1 vit. Ramiz Alia është njëkohësisht edhe presidenti i dytë në histori, i arrestuar sapo la detyrën me akuzën për “genocid dhe krime kundër njerëzit” si përgjegjës për krimet gjatë regjimit komunist.

SALI BERISHA

DITËLINDJA: 15 tetor 1944

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË:

MANDATI I PARË: 9 prill 1992 deri më 2 mars 1997

MANDATI I DYTË: 2 mars 1997 deri më 20 korrik 1997

KOHËZGJATJA NË DETYRË:

HERA E PARË: 5 vjet, 1 muaj e 7 ditë

HERA E DYTË: 4 muaj 18 ditë

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për mjekësi në universitetin e Tiranës

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

Sali Berisha është presidenti që ka thyer më shumë rekorde se çdokush, si kreu i shtetit. Sali Berisha është presidenti i vetëm pas rrëzimit të komunizmit, që ka fituar dy mandate. Ai është edhe presidenti i vetëm që ka dhënë dorëheqje duke ushtruar detyrën e presidentit dhe presidenti i vetëm që mandatin e dytë e konsumoi vetëm 5 muaj. Njëkohësisht, Sali Berisha është i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, me fuqi të paketës kushtetuese më të forta se çdo paraardhës dhe çdo pasardhës, përjashtuar Ahmet Zogun. Mjafton të kujtojmë se, përveç shumë e shumë pushteteve në drejtësi, ai kishte të drejtë të drejtonte edhe mbledhje të qeverisë. Në fakt, sipas vetë kryeministrit të asaj kohe, Aleksandër Meksi, Sali Berisha është i vetmi president në historinë e Shqipërisë, që ka drejtuar mbledhje qeverie. Por Sali Berisha është i pari dhe i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, që ka veshur uniformë ushtarake duke ushtruar detyrën e kreut të shtetit, gjatë një stërvitje që ka kryer ushtria. Këtë e kishte bërë më parë vetëm Ahmet Zogu. Ndërkohë rekordet vazhdojnë edhe me faktin se, është i vetmi president që organizoi dhe drejtoi referendum për kushtetutën, që, nëse do ta miratohej fuqia e pushtetit të tij, mund të krahasohej me Ahmet Zogun.

REXHEP MEIDANI

DITËLINDJA: 17 gusht 1944

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrë 53 vjeç e 24 ditë dhe e la 58 vjeç e 24 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet

Presidenca shqiptare nuk ka patur asnjë paraardhës edhe pasardhës të nivelit më të lartë shkencor dhe intelektual, sa ai i Rexhep Meidanit. Potencial shkencor si ai, zor se mund të ulet më zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Rexhep Meidani është i pari dhe i vetmi socialist i zgjedhur president, që pas rrëzimit të komunizmit, dhe është, njëkohësisht, presidenti i vetëm i papërfolur as për korrupsion, as për skandale, madje, as për bashkëpunim dhe interferencë me Partinë Socialiste që e zgjodhi të ishte në atë detyrë, e cila ishte në pushtet. Por të gjitha këto, nuk mjaftuan që Rexhep Mediani të shkëlqente në detyrën më të lartë të shtetit. Çdo gjë në rregull, pa konferenca shtypi, me dalje televizive dhe intervista që numërohen me gishtat e dorës dhe me mungesë lajmesh, presidenca e Rexhep Medianit i ngjau më shumë funksionimit të një laboratori fizike, se sa një presidence aktive, të zhdërvjellët, vendimmarrëse, që i jepte zgjidhje situatave delikate dhe krizave politike që kishte gjatë periudhës kur ai ishte në krye të shtetit.

ALFRED MOISIU

DITËLINDJA: 1 dhjetor 1929

VENDLINDJA: Shkodër

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: 72 vjeç, 4 muaj e 7 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes

Alfred Moisiu është presidenti që ka marrë më shumë vlerësime në historinë e detyrës së kreut të shtetit, duke u bërë presidenti më i preferuar nga shumica e shqiptarëve, sipas sondazheve. I vetmi president konsesual në histori, ai u bë njëkohësisht armik edhe i Partisë Socialiste që ishte në pushtet, por edhe i Partisë Demokratike që e propozoi emrin e tij. Dikur ministër dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Alfred Moisiu është presidenti me moshën më të lartë në detyrë, duke qenë 73 vjeç kur hyri në presidencë. Alfred Moisiu është i vetmi president që ka ndërhyrë dhe ka arritur një marrëveshje politike, duke zgjidhur një krizë mes PS dhe PD. Në historinë e shtetit shqiptar, ka shumë shtetarë dhe administratorë, por Alfred Moisiu është nga të rrallët që kanë qenë burrë shteti. Ushtarak në profesion dhe pinjoll i një familjeje të njohur ushtarake, Alfred Moisiu tregoi korrektësi dhe aftësi për të zgjidhur situata nga më delikatet në krye të shtetit. Konfliktet e tij parimore me kryeministrin, Fatos Nano, dhe më pas me atë Sali Berisha, tashmë, kanë hyrë në histori dhe presidenti i fitoi, moralisht, të gjitha betejat, duke mos bërë kompromis me parimet e tij.

BAMIR TOPI

DITËLINDJA:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj

ARSIMIMI: I diplomuar si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamzë

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet

Nga nënkryetar i PD-së, në president të 8-të të Republikës, pothuajse, i gjithë opinioni publik mendonte se Bamir Topi do ishte shtojcë e Partisë Demokratike që e zgjodhi. Por të gjithë u gabuan, jo pak. Presidenca e Topit është konsumuar në një konflikt të hapur dhe të vazhdueshëm mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha të cilët, në shumë raste, hodhën akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. Më e rënda është se Bamir Topi, dikur zëvendësi i Berishës, e akuzoi Berishën si komunistin më të pandreqshëm, – akuzë e vonuar e presidentit. Por një moment delikat ka qenë ngjarja e 21 janarit 2011, ku presidenti Topi nuk u angazhua aspak në zgjidhjen e saj. Kështu, kryeministri Berisha hodhi akuza të rënda ndaj tij, deri bashkëpunim për puç shtetëror. Megjithatë, presidenca e Topit ka patur aspekte pozitive, të cilat nisin nga cilësime që të paktën nuk ka bërë keq e deri tek ajo se dekoroi një ushtri njerëzish, pa ndonjë vlerë, duke e kthyer dekorimin në të pavlerë.

BUJAR NISHANI

DITËLINDJA: 29 shtator 1966

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: 46 vjeç, 1 muaj e 5 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet

Bujar Nishani, – ushtaraku i tretë në histori si president, pas Ahmet Zogut dhe Alfred Moisiut, dhe i dyti me mbiemrin Nishani. Ndershmëria është cilësia e tij më e spikatur gjatë pesë viteve në presidencë. Ai është presidenti që, edhe pse ka marrë një lumë akuzash nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama, nuk ka marrë asnjë akuzë për korrupsion. Në fakt, edhe presidenca e Nishanit është shoqëruar me përplasje mes tij dhe mazhorancës. Nuk ka një ngjarje të vetme që kryeministri Rama dhe mbështetësit e tij, të mos e akuzojnë deri në ofendime rreth sëmundjes, – rast i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Gjithsesi, të gjitha këto, një ditë, ndoshta nuk do mbahen mend. Ajo që mbetet është integriteti moral i presidencës së Nishanit, që diti të ruajë shumë ekuilibrat, edhe pse kompetencat, në këto 5 vjet, i janë hequr presidentit si tullat e një muri, që dikush synon ta rrëzojë.

ILIR META

DITËLINDJA: 24 Mars 1969

VENDLINDJA: Skrapar

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2017–24 korrik 2022

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

ARSIMIMI: I diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku dhe përfundoi studimet pasuniversitare.

Meta një nga figurat kryesore politike shqiptare konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare. Ai mbajti postin e presidentit të vendit për 5 vitet e fundit. Ditën e sotme ai ja dorëzoi postin e presidentit pasardhesit të tij Presidentit aktual të vendit Bajram Begaj.

BAJRAM BEGAJ

DITËLINDJA: 20 mars 1967

VENDLINDJA: Rrogozhinë

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2022-….

ARSIMIMI: “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Begaj është një oficer ushtarak shqiptar, i cili ka shërbyer si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. Ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Tashmë Begaj mban postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat