Blinken telefonon Ramën, Ambasada Amerikane zbardh çfarë u diskutua

Shqipëria

Blinken telefonon Ramën, Ambasada Amerikane zbardh çfarë u diskutua

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 09:42
Antony Blinken dhe Edi Rama

Sekretari i Shtetit Antony J.Blinken ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama lidhur me sulmet kibernetike të ndërmarra ditët e fundit ndaj Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA, Ned Price, i cili thekson që Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik.

Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ShBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale.

Reagimi i Ambasadës Amerikane:

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli dje me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik. Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale”. – Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price”.

Së fundmi Shqipëria njoftin për një sulm tjetër kibernetik nga Irani. Kryeministri shqiptar, Edi Rama e bëri publik të shtunën lajmin e një sulmi të ri nga Irani në një postim në Twitter, duke theksuar se një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë të punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet digjitale të Shqipërisë”, shkroi ai.

Sulmi kibernetik i Iranit ndaj sistemit TIMS në Shqipëri ndodhi pa kaluar as 24 orë nga vendimi që morën SHBA të premten, (09.09) për sanksione  ndaj Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë si edhe ndaj titullarit të kësaj ministrie, ministrit Esmail Khatibi.

Në një njoftim të Departamentit të Thesarit të SHBA, të publikuar më 9 shtator, theksohet që sanksionet merren „ për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

“Në korrik 2022, aktorët e sulmeve kibernetike, me mbështetjen e qeverisë së Iranit dhe Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë, ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë së Shqipërisë duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj“, thekson ky njoftim.

Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson citohet të ketë thënë që: “Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun, SHBA nuk do të tolerojë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët e tyre“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat