Ja sa do paguajnë qytetarët shqiptarë energjinë pas 1 tetorit

Shqipëria

Ja sa do paguajnë qytetarët shqiptarë energjinë pas 1 tetorit

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Çmimi final i energjisë elektrike për konsumatorë familjarë dhe biznese, ka pësuar ndryshime gjatë vitit 2022. “Open Data Albania” ka analizuar ndryshimet e çmimit të shitjes energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznese sipas tensionit të furnizimit për vitin 2022, sipas së cilës çmimi final i shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznese është rritur. Me çmim final do të kuptojmë çmimin e shitjes së energjisë plus tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërsa konsumatorët familjarë, për periudhën 1 Tetor e vijim do të përballen me 2 fasha apo nivele të ndryshme të çmimit të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj, do të paguajnë çmimin prej 9.5 Lekë për çdo kWh vlerë kjo pa TVSH.

Ndërsa konsumatorët familjarë që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat, do të paguajnë çmimin prej 42 Lekë për kWh për çdo sasi kilovati më tepër se 800. Kjo fashë progresive pritet të prekë më shumë familjet me shumë anëtarë, të moshuarit që bëjnë jetë familjare më intensive, dhe prindërit që rrisin fëmijë duke konsumuar më shumë në larje, gatim apo ngrohje me energji. Për shembull: Një familje konsumon 1000 kilovat energji elektrike në muaj, për këtë sasi të shpenzuar përpara 1 tetorit 2022, ajo duhet të paguajë 11,400 Lekë me  TVSH (1000 kWh 9.5 Lekë/kWh plus 20 % TVSH). Pas 1 Tetorit, po e njëjta sasi e konsumuar do të faturohet total 18 920 Lekë me TVSH  ku 800 kWh do të llogariten me 9.5 Lekë për kËh, ndërsa 200 kW llogariten me çmimin 42 Lekë për kWh plus TVSH mbi çmimin e shitjes prej 20%. Për të njëjtën sasi të konsumuar, konsumatori Familjar do të paguajë 7 520 Lekë  apo rreth 66% më shumë.

Për klientët biznese

Ndërkohë, për klientët biznese, vihet re një rritje e tarifave sipas nivelit të tensionit. Kjo rritje vjen si rezultat i ndryshimit të tarifave të transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike. Tarifa më të larta të shërbimit dhe transmetimit ndikojnë në çmimin final që bizneset paguajnë. Rritja më e lartë vihet re në klientët që furnizohen me tension 0.4 kilovolt, ku çmimi aktiv i përllogaritur  për periudhën 1 Maj-31 Dhjetor është 24.07 Lekë/KWh, rreth 1.73 Lekë/kWh apo 7.7% më shumë se çmimi në periudhën 1 Janar – 31 Prill (përllogaritur 22.34 Lekë/kËh). Edhe për klientët në tensionin 20 kV ka pasur një rritje me 0.19 Lekë/kWh apo 1.1% të çmimit të blerjes së energjisë elektrike.

Tashmë klientët në këtë tension paguajnë 18.04 Lekë/kWh nga 17.85 Lekë/kWh. Në këtë tarifë llogariten edhe tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike. Për furrat e bukës dhe prodhim mielli në 20/10/6 kV ka pasur një rritje të çmimit me 1.2 Lekë/kWh. Këto klientë paguajnë rreth 15.26 Lekë/kWh me TVSH, apo 8.5% më shumë se 1 janar - 30 prill 2022.  Ndërsa Furrat e Bukës dhe prodhim mielli në tensionin 0.4 kV paguajnë çmimin 15.86 Lekë për kWh apo me 1.2 Lekë/kWh më shumë se periudha 1 Janar-30 Prill.

Për klientët të cilët blejnë energji në treg të hapur

Ndërkohë, sipas “Open Data” për klientët të cilët blejnë energji në treg të hapur çmimi i blerjes së energjisë përcaktohet nga kompani furnizues privat, të cilët aplikojnë çmime në varësi të çmimit me të cilin e blejnë energjinë në bursë.  Në rast se Bizneset që operojnë në treg të hapur, për një arsye të veçantë nuk marrin energji nga këto kompani Furnizues privatë ato do të furnizohen me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF). Edhe për këtë kategori, ERE ka përcaktuar çmimet e energjisë elektrike për Klientët sipas tensionit. Tarifat FMF janë të ndryshueshme çdo muaj për çdo kategori klientësh. Çmimin më të lartë e kanë klientët me furnizim me tension 35 kV, të cilët paguajnë rreth 31.2 Lekë/kWh që prej muajit Korrik. Ndërsa klientët e tensionit 20 kV, 10 kV, 6 kV prej muajit Maj kanë të njëjtin çmim prej 18.26 Lekë/kWh, çmim i cili do të mbetet i pandryshuar deri në fund të 2022. Tregu i energjisë elektrike është tregu ku energjia elektrike shitet dhe blihet drejtpërdrejt, ndërmjet pjesëmarrësve të tregut, në bazë të kontratave dypalëshe apo tregu i organizuar nëpërmjet platformës për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike në bazë të ditës në avancë apo  brenda së njëjtës ditë (intra day).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat