Petrit Vasili 21 pyetje për SPAK-un: Heto skandalin e 137 fluturimeve të Ramës, udhëton në Kosovë me “charter” për kafe

Shqipëria

Petrit Vasili 21 pyetje për SPAK-un: Heto skandalin e 137 fluturimeve të Ramës, udhëton në Kosovë me “charter” për kafe

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 07:38
Edi Rama

 Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i drejtoi dje SPAK-ut publikisht 21 pyetje në lidhje me skandalin e 137 fluturimeve me “charter” të Edi Ramës.

Përmes tyre, Vasili kërkon hetim të skandalit në lidhje me 137 fluturimet e Kryeministrit Edi Rama me “charter”, të zbuluara nga hakerat iranianë. Në postimin e tij në “Facebook”, Vasili i renditi pyetjet dhe një sërë faktesh tejet të rënda nga abuzimi i Ramës, ku sipas tij, Kryeministri ka përdorur “charter”-in për të pirë kafe në Prishtinë apo edhe për të çuar homologun maqedonas në shtëpi.

Vasili pyet dhe “cili ka qene shkaku zyrtar që Rama e ka përdorur ‘charter’-in edhe për të shkuar në Kosovë për kafe kur mund të përdorte fare mirë rrugët tokësore, duke kursyer mijëra euro? Rama e ka përdorur ‘charter’-in ‘Ismail’ edhe për të shoqëruar nga Brukseli në Shkup Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast, kush i ka paguar kostot e fluturimit në Shkup?”. Vasili pyet se në ç’mënyrë avioni “charter”, “TC-ANA, Airbus A319-100 ACJ”, me konfigurim VIP, u bë pjesë e qeverisë shqiptare në shkurt të vitit 2020, pasi nga prilli i vitit 2005 ai ka qenë pjesë e qeverisë turke? Po kështu, ai shkruan se cilat janë faturat mes qeverisë shqiptare apo Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe kompanisë “Air Albania” për çdo fluturim, që ka kryer “charter”-i “Ismail” për llogari të Kryeministrit shqiptar.

“Cili është dokumentacioni se si kaloi ky avion në përdorim të Kryeministrit është thelbësor për hetimin? A është dhuratë e qeverisë së Rexhep Taip Erdogan dhe nëse i është falur, cila ka qenë procedura? Nëse është blerë, a është blerë nga qeveria shqiptare apo nga ‘Air Albania?’. Nëse është pjesë e flotës ‘Air Albania’, cila është kontrata që ka qeveria shqiptare apo institucionet në vartësi të saj dhe me kompaninë ku ajo është aksionere?

Përse bilancet e kompanisë nuk janë dorëzuar dhe përse nuk hetohen arsyet se përse ato nuk janë publikuar në QKB? Përse nuk publikohen të dhënat për destiancionet e këtij avioni dhe të personave, që kanë udhëtuar në prenotimet e ‘charter’-it ‘Ismail’ nga Kryeministri Rama? Sa janë taksat aeroportuale, ne se janë paguar ndaj kompanisë koncesionare ‘Kastrati Group’ të aeroportit ‘Nënë Tereza’, në Rinas për avionin ‘charter’ ‘Ismail’?

Sa janë faturat e tjera për shërbimet dhe serviset e këtij avioni në aeroporte të tjera jashtë vendit?”, janë disa nga pyetjet që Petrit Vasili i drejton SPAK-ut. Statusin e tij deputeti i Partisë së Lirisë e shoqëron me foto që sipas tij konfirmojnë avionin VIP “Ismail”, që ka qenë pronë e qeverisë turke. Edhe dy ditë më parë Vasili, denoncoi se Kryeministri Edi Rama ka në “charter”-in e tij që përdor për udhëtime edhe dhomë gjumi. Në një intervistë në “News 24”, deputeti i PL-së deklaroi se mesa duket ky është standardi i rilindjes, pasi shpesh politika e tyre kalon nga krevati.

“Shqipëria nuk është një vend kaq hermetik që nuk dalin fjalët. Ka prej tyre që kanë udhëtuar. Disa kanë ndjerë një lloj frustrimi. Këtë punën e krevatit e kanë pak me merak rilindësit, në tender e keni dëgjuar që porosisin krevat dopio në zyrë. Ky e do avionin me krevat. Mesa duket, shpesh politika e tyre kalon nga krevati. Nuk jam i çuditur kur ma thanë. Kur politika nuk ecën me udhën e ligjit dhe të kuptosh çfarë misioni ke, mekanizmat do të jenë ose krevati ose paraja e qelbur, pra gjithmonë gjëra që vijnë erë”, tha Vasili.

PYETJET E VASILIT DREJTUAR SPAK PËR SKANDALIN E 137 “CHARTER”-AVE TË RAMËS

1. Në ç’mënyrë avioni “charter “”TC-ANA, Airbus A319- 100 ACJ”, me konfigurim VIP, u bë pjesë e qeverisë shqiptare në shkurt të vitit 2020, pasi nga prilli i vitit 2005 ai ka qenë pjesë e qeverisë turke?

2. Cili është dokumentacioni se si kaloi ky avion në përdorim të kryeministrit është thelbësor për hetimin?

3. A është dhuratë e qeverisë së Rexhep Taip Erdogan dhe nëse i është falur, cila ka qenë procedura?

4. Nëse është blerë, a është blerë nga qeveria shqiptare apo nga “Air Albania”?

5. Nëse është pjesë e flotës së “Air Albania”, cila është kontrata që ka qeveria shqiptare apo institucionet në vartësi të saj dhe me kompaninë ku ajo është aksionere?

6. Cilat janë faturat mes qeverisë shqiptare apo Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe kompanisë “Air Albania” për çdo fluturim, që ka kryer “charter”-i “Ismail” për llogari të Kryeministrit shqiptar?

7. Përse bilancet e kompanisë nuk janë dorëzuar dhe përse nuk hetohen arsyet se përse ato nuk janë publikuar ato në QKB?

8. Duhen hetuar edhe përse “Air Albania” nuk i ka deklaruar ende pronarët përfitues, në shkelje të ligjit.

9. Përse nuk publikohen të dhënat për destiancionet e këtij avioni dhe të personave, që kanë udhëtuar në prenotimet e “charter”-it “Ismail” nga Kryeministri Rama?

10. Sa janë taksat aeroportuale, nëse janë paguar ndaj kompanisë koncesionare “Kastrati Group” të aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas për avionin “charter” “Ismail”?

11. Sa janë faturat e tjera për shërbimet dhe serviset e këtij avioni në aeroporte të tjera jashtë vendit?

12. Çfarë udhëtimesh janë paguar nga fondi i Kryeministrisë dhe a janë përfshirë në këtë fond udhëtimet me “charter”-in “Ismail”?

13. Cili është akti zyrtar që përcakton nevojën specifike të përdorimit të këtij avioni “charter”?

14. Cili ka qenë shkaku zyrtar që Rama e ka përdorur “charter”-in edhe për të shkuar në Kosovë për kafe kur mund të përdorte fare mirë rrugët tokësore, duke kursyer mijëra euro?

15. Rama e ka përdorur “charter”-in “Ismail” edhe për të shoqëruar nga Brukseli në Shkup Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Në këtë rast, kush i ka paguar kostot e fluturimit në Shkup?

16. Cilat janë fluturimet e tjera, që ka bërë Rama jashtë Rinasit nga Brukseli në Hagë, Londër etj., të cilat nuk regjistrohen në TIMS-in tonë?

17. Nëse ai i ka marrë fluturime me klering nga kompania “Air Albania”, do të duhet të japë një sërë shpjegimesh?

18. A ka ai apo qeveria një kontratë me “Air Albania” për t’i bërë promocione?

19. Nëse ka, në ç’mënyrë e kanë promovuar qeveria dhe kryeministri një kompani private?

20. A i lejohet një Kryeministri të marrë pagesa për promocione të kompanive private?

21. Si është e mundur që Kryeministri qenka i punësuar edhe privatisht, nëpërmjet kompanive të marketingut, përderisa ai është zgjedhur për të ushtruar një detyrë specifike në majë të ekzekutivit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat