Kalaja e Rozafës, 94.260 vizitorë gjatë vitit që lamë pas

Shqipëria

Kalaja e Rozafës, 94.260 vizitorë gjatë vitit që lamë pas

Më: 7 janar 2023 Në ora: 09:40
Kalaja e Rozafës

Kalaja e Rozafës në vitin 2022 ka pasur një numër më të lartë vizitorësh se në vitin 2021. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, që ka publikuar disa të dhëna mbi numrin e vizitorëve në kala. Sipas DRTK-së në vitin 2022 kalaja e Shkodrës u vizitua nga 94.260 vizitorë.

“Kalaja Rozafa, rritet numri i vizitorëve në 2022. Vizitat turistike  në kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në periudhën e sezonit turistik dhe jashtë tij, një turizëm kulturor përgjatë gjithë vitit duke reflektuar rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj në vitin 2022. 94.260 mijë vizitorë gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 ose +43,963 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2021”, thuhet nga DRTK Shkodër në Facebook.

Kalaja e Shkodrës është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, kartolina, stema, etj. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre.

Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut.

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat