Grabiti një banesë rreth dy vite më parë dhe dhunoi një person, gjykata e Sarandës shpall të pafajshëm Geraldo Obznovën

Shqipëria

Grabiti një banesë rreth dy vite më parë dhe dhunoi një person, gjykata e Sarandës shpall të pafajshëm Geraldo Obznovën

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Geraldo Obznova, një person me precedentë të shumëfishtë penal është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës për një ngjarje të ndodhur më shumë se dy vite më parë.

Gjykata e Sarandës e ka shpallur atë të pafajshëm me një vendim të një muaji me parë të gjyqtarit Alban Veçani, konkretisht të datës 17 janar për një rast vjedhje me dhunë ndaj një të moshuare duke e justifikuar vendimin me një “gabim” të kryer nga Komisariati i Policisë Sarandës.

Ngjarja për të cilën akuzohet Obznova, ka ndodhur në 05.11.2020 kur policia është njoftuar nga një e moshuar se në banesën e saj në fshatin Aliko, Finiq është kryer vjedhje me dhunë.

Porta hyrëse e katit të dytë të banesës u konstatua e hapur dhe në afërsi të saj është konstatuar një drynë i dëmtuar i cili në pjesën e sipërme kishte një dëmtim të shkaktuar me mjete të forta. Vetë e dëmtuara tha për policinë se rreth orës 24.00 të datës 05.11.2020 kishte dëgjuar zhurmë tek porta e jashtme e banesës dhe kishte hapur derën e dhomës ku flinte për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Në momentin që ka hapur portën ka ardhur një person i cili e ka qëlluar me grusht në fytyrë dhe më pas me shkelma në trup dhe i ka thënë se ku i ke leket. E dëmtuara më tej i ka treguar autorit vendin ku ndodheshin lekët. Mbi këtë bazë nga ana e policisë gjyqësore është proceduar me paraqitjen për njohje me anë të fotografive. Nga kryerja e këtij veprimi, në të dy variantet e kryerjes së tij e dëmtuara e ka njohur si personin që ka hyrë ne banesë dhe e ka qëlluar me grushte dhe ka vjedhur paratë shtetasin Geraldo Obznova.

Madje rezulton që gjatë kohës që ka ndodhur ngjarja, Obznova ka qenë person i shpallur në kërkim për ngjarjen e datës 09.07.2020 kur policia zbuloi një parcelë me lëndë narkotike në Dërmish, Finiq. Ai u arrit të kapej nga policia e Sarandës në 13 mars 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat