Tunelet ushtarake në nëntokën e Kukësit, reflektim i jetës gjatë komunizmit

Shqipëria

Tunelet ushtarake në nëntokën e Kukësit, reflektim i jetës gjatë komunizmit

Më: 1 prill 2023 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Një rrjet tunelesh nën qytetin e Kukësit mjafton për të patur një qytet të tërë të nëndheshëm. Të ndërtuara gjatë regjimit komunist në rast të një sulmi nga ish-Jugosllavia, qyteti shpreson tashmë t’i përdorë tunelet për të krijuar një të ardhme më të sigurt financiare. Autoritetet do ta shndërrojnë qendrën e nëndheshme të komandimit në një muze historik, duke rikrijuar jetën gjatë komunizmit në Shqipëri.

Nën rrugët e qytetit verior të Kukësit gjendet një labirinth tunelesh, të ndërtuara gjatë regjimit komunist, për të strehuar banorët në rast lufte.

Kjo zonë, ndër më të varfërat e Shqipërisë, shpreson tashmë që e shkuara të shërbejë si një mënyrë për të tërhequr turistët.

Autoritetet vendore synojnë ta rinovojnë rrjetin e tuneleve për t’u treguar turistëve se si banorët përgatiteshin të jetonin në to për një periudhë deri në gjashtë muaj, në rast se qyteti do të sulmohej.

Një oficer në pension kujton orët e kaluara nën tokë, ndërsa drejtuesit ushtarakë planifikonin strategjinë e tyre dhe përgatiteshin për një sulm nga forcat e ish-Jugosllavisë.

Deri në vitin 1995, kur doli në pension, Haxhi Cenaj, tashmë 81-vjeç, ishte oficer me gradën major dhe drejtonte një njësi të vogël të këmbësorisë, së cilës i ishte caktuar detyra të mbronte qendrën e komandës, që qarkohej nga tunele.

“Duhet të ishin ruajtur, por kushtojnë. Do të doja që të ishin gati në çdo kohë. Nuk i dihet”, thotë ai.

Sistemi nëntokësor në Kukës ishte fortifikimi më i madh mbrojtës në atë kohë për vendin më të varfër në Evropë.

Zoti Cenaj thotë se zyrat brenda tuneleve përdoreshin rregullisht për stërvitje. Ata përgatiteshin se si të përballonin një sulm imagjinar nga Jugosllavia fqinje, sulm që nuk ndodhi.

“Provonim skenarë. Planifikonim se do të kishte luftë, ndoshta një sulm ajror dhe stërviteshim se si të mbijetonim”, thotë zoti Cenaj.

Bunkerët ushtarakë gjenden shtatë kate nëntokë, rreth 30 metra thellë, me mure betoni me trashësi rreth gjysmë metri.

Strehimi i nëndheshëm formon një rrjet tunelesh me gjatësi prej 5-7 kilometrash, të cilat mund të strehonin 20-30 mijë civilë, shpjegon Bukurosh Onuzi që drejton projektin për shndërrimin e këtyre tuneleve në muze.

“Ndërtimi i qytetit të nëndheshëm në Kukës filloi në vitet 1970 dhe vazhdoi deri në 1991-992; u punua për 22 vite. Ka degëzime tunelesh prej 5-7 kilometrash, një qytet i tërë. Vlerësohej se 20-30 mijë njerëz, nga popullsia e Kukësit, mund të strehoheshin në rast të një lufte kimike, apo edhe bërthamore, në mënyrë që jeta të vazhdonte nën qytet, me të gjitha aktivitetet e saj normale”, thotë zoti Onuzi.

Brenda tuneleve të projektuara për të strehuar banorët për gati gjashtë muaj, gjenden një fabrikë buke, një shkollë, një spital, një maternitet, zyra prokurorie, policie, një radio stacion, një shtëpi botimi për materialet propagandistike komuniste, dhe madje edhe hapësira për qitje me armë dhe stërvitje ushtarake.

Kryebashkiaku Safet Gjici thotë se muzeumi do t’i sjellë qytetit të ardhura shumë të nevojshme.

“Vendosja në punë e këtij qyteti muze, jo vetëm do të tregojë vlerat tona, prodhimet bio të Kukësit, apo dhe veshjet tradicionale të gjithë zonave të Kukësit, apo dhe elementë të tjerë kulturorë që ka bashkia e Kukësit, por do të na krijojë dhe të ardhura për bashkinë, edhe punësimin për qytetarët e Kukësit”, thotë zoti Gjici.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, Kukësi radhitet si zona më e varfër e Shqipërisë me vetëm dy të tretën e të ardhurave mesatare të vendit. Rikthimi në funksionalitet i tuneleve të qytetit do të financohet në kuadrin e një fondi prej 2 milionë Eurosh që Bashkimi Evropian ka caktuar për dhjetë qytete në Evropën lindore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat