Mashtrimi me kriptovaluta, Ozer esktradohet në Turqi

Shqipëria

Mashtrimi me kriptovaluta, Ozer esktradohet në Turqi

Më: 20 prill 2023 Në ora: 16:23
Faruk Ozer

Faruk Ozer, 29 vjeçari turk, i akuzuar se ka mashtruar qindra mijëra qytetarë përmes një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, u ekstradua sot nga Shqipëria drejt Turqisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, përfaqësuesit e së cilës e morën atë në dorëzim nga autoritetet shqiptare, në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, për të fluturuar drejt Stambollit me një nga avionët e kompanisë Air Albania.

Ozer kishte themeluar në vitin 2017, të parën kriptovalutë turke Thodex, duke tërhequr mbi 390 mijë persona që kishin zgjedhur të investonin në të, shuma që përllogariten në afro 2 miliardë dollar. Në prill të vitit 2021, ai u largua nga Turqia, drejt Shqipërisë, ndërsa investitorët u njoftuan më pas për pezullimin e aktivitetit.

Pas denoncimit të menjëhershëm, autoritetet turke nisën hetimet, duke arrestuar disa dhjetra bashkëpunëtorë të të riut turk. Vetë Ozer, arriti t’i shpëtonte, policisë shqiptare e cila u vu menjëherë në kërkim të tij. Ai u arrestua vetëm në verën e vitit të kaluar në Himarë, në një nga zonat më të frekuentuara bregdetare.

Menjëherë ndaj tij nisën procedurat e ekstradimit, ndaj të cilave 29 vjeçari turk bëri ankimim në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Por përpjekjet e tij për të shmangur rikthimin në Turqi, me pretendimin se atje i kërcënohej jeta, rezultuan të pasuksesshme. Pak ditë më parë ishte Gjykata e Lartë e cila rrëzoi kërkesën e tij, duke i hapur rrugë përfundimisht ekstradimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat