​Partitë thirrje qytetarëve: Dilni votoni!

Shqipëria

​Partitë thirrje qytetarëve: Dilni votoni!

Më: 14 maj 2023 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Kur kanë mbetur edhe një orë deri në mbylljen e qendrave te votimit në Shqipëri, partitë politike përmes konferencave kanë apeluar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit dhe të dalin sa me shumë në numër për të zgjedhur kryebashkiakun e ri dhe këshilltarët bashkiakë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në një deklaratë për medie nga selia e PS-së, u bëri apel zgjedhësve që të ushtrojnë të drejtën e votës.

Muzhaqi: Vota përcakton të ardhmen tonë

“Duam që ta dëgjojnë të gjithë se kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë. Vota vlen shumë! Vota vendos shumë! Vota përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë të përbashkët!”, deklaroi Muzhaqi.

Kandidati për kryetar të Tiranës, Belind Këllicci, deklaroi se ky është një shans që nuk do të na vijë më për 4 vitet e ardhshme për të ndryshuar fatet e Tiranës.

Këlliçi: Po luhet finalja, ta shndërrojmë në festë

“Dilni e merrni pjesë në këtë proces votimi sepse është e një rëndësie jetike për kryeqytetin.Shifrat tregojnë se jemi në kufijtë e 40% të pjesëmarrjes do të duhet që të kalojmë këtë shifër, duke e rritur pjesëmarrjen… Finalja po luhet, tashmë mbetet vetëm për të fituar. Dilni merrni pjesë në votime le ta shndërrojmë këtë ditë në një ditë feste të jashtëzakonshme për Tiranën, për kryeqytetin tonë dhe të ardhmen e të gjithë të rinjve në Tiranë. Dilni e votoni, ndryshimi është në duart tuaja. Votoni!”, tha Këllicci.

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në daljen e saj para mediave tha se vota e çdo qytetari ka një vlerë të çmuar për veten e tij dhe të familjes se tij.

Xhixho: Të votojmë masivisht

“Duhet të votojmë sepse në këtë mënyrë vendosim vetë për veten tonë dhe nuk e lëmë fatin tonë në duart e të tjerëve. Votoni, votoni, votoni! Çdo votë ka një peshe te jashtëzakonshme sepse ajo mund te jete vota vendimtare. Vota është ura midis shpresës dhe ndryshimit. Kaloje atë urë dhe bëje ndryshimin për vete dhe familjen tënde”, deklaroi Xhixho.

Kandidati për kryetar të Tiranës nga radhët e Partisë Demokratike të Alibeajt, Roland Bejko deklaroi se vetëm duke votuar i jepet fund politikës së vjetër që sipas tij, që për më shumë se 32 vite e mban peng vendin.

Bejko: Këto zgjedhje janë për të gjithë shqiptarët

“Partia Demokratike, si e vetmja forcë e djathtë properëndimore, ju fton sot ta jepni kontributin tuaj dhe ky kontribut shprehet përmes votës tuaj…. Politika e vjetër po përpiqet sot më shumë se kurrë që t’ju ofrojë shqiptarëve klimën e tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së mbrapshtë 32 vjeçare, por ne e dimë, ju e dini, se këto zgjedhje janë për gjithë shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës që e ka mbajtur peng Shqipërinë”, deklaroi Bejko.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se deri në orën 16:00 kanë votuar 32.19% e votuesve. Referuar të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, deri në orën 16:00 kanë raportuar 2679 nga 5213 Qendra Votimi në total.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat