Plagosi me thikë dy persona, arrestohet 52-vjeçari në Sarandë

Shqipëria

Plagosi me thikë dy persona, arrestohet 52-vjeçari në Sarandë

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Sekuestrohen një sasi municioni luftarak dhe një sasi lënde plasëse artizanale, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar.

Sot, rreth orës 14:00, në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi F. J., 52 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit E. S., 54 vjeç dhe S. Ll., 62 vjeç, të dy banues në Sarandë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit F. J.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar nitrat amoni, që përdoret si lëndë plasëse artizanale, 16 kapsolla detonatore dhe 3 fishekë luftarakë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. J., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat