Berisha kërcënon Ramën: Një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta

Shqipëria

Berisha kërcënon Ramën: Një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 08:15
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti sot se me kryeministrin Edi Rama nuk ka zgjedhje.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në “Facebook”, Berisha u shpreh se zoti Rama e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri dhe sipas tij, ai vështirë se largohet nga pushteti me votë.

 “Dilema jonë është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por nga ana tjetër, cila është zgjidhja? Shumicë demokratësh dhe jodemokratësh, mendojnë se PD ka nevojë për një proces hapje të madhe dhe riorganizimi dhe unë jam plotësisht dakord me ta dhe i garantoj se personalisht do bëj çdo gjë në këtë proces. Dhe është punuar, ka jo pak njerëz që nuk e kuptojnë se PD-në e shpëtoi hapja, e shpëtuan primaret, e shpëtoi institucioni i kandidatëve të lirisë, përndryshe ajo do ishte arkivuar në memorien e njerëzve. Ky institucion i ri i krijuar tërhoqi në kushtet më të jashtëzakonshme votat e 500 mijë shqiptarëve. Nga ana tjetër, e vërteta është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe nëse nuk përballemi, ky, pasi e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri, me votë nuk ikën kurrë nga pushteti”, deklaroi ai.

Më tej Berisha u shpreh se pushteti i Ramës rrëzohet vetëm me protesta të vazhdueshme dhe të fuqishme.

“Vetëm me vendime qeveritare u shpërndanë gjatë fushatës, bonuse dhuratë për 683 mijë pensionistë dhe 180 mijë punonjësve iu rritën rrogat. Nuk ndalem këtu në qindra milionë euro të shpërndara nën dorë. Vetëm partia e Doshit u rrit me 310 përqind, kur Doshi u garantoi se nuk ka shpërndarë as një të dhjetën e parave që ka shpërndarë Edi Rama. U ndala për të tërhequr arsyetimin dhe vëmendjen tuaj se një kryeministër që nuk do të dorëzojë pushtetin, rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta. Dhe unë i qëndroj këtij parimi”, nënvizoi Sali Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat