“Ndjeva neveri për atë dorë të përgjakur”- Ish i dënuari rrëfen takimi me ish-hetuesin e tij pas rënies së komunizmit

Shqipëria

“Ndjeva neveri për atë dorë të përgjakur”- Ish i dënuari rrëfen takimi me ish-hetuesin e tij pas rënies së komunizmit

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Para disa ditësh, më ndaloi ish – hetuesi im. Donte të bisedonte me mua. Më zgjati dorën. Ndjeva neveri për atë dorë të përgjakur.- Ç’kerkoni? – i thashë ftohtë. – “Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj, duke parë qëndrimin tim. – Ishte i sistemit që na bëri të tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim”.

Nuk po e dëgjoja më. Ai fliste ndërsa mua me dilnin para sysh ngjarjet që ndodhën në kohën e rrëzimit të monumentit të diktatorit, kur ai dhe shokë të tjerë të tij, ngriheshin në të ashtuquajturat anti-mitingje, të organizuara nga forcat më të errëta të regjimit të përmbysur. Më dilnin para syve, të gjitha ato që më kishte punuar në shtatë muajt e qëndrimit tim në qelitë e Sigurimit.

Por mbi të gjitha, më dilte një skenë mizore që lidhet direkt me të dhe të cilën nuk mund ta harroj kurrë. Ndaj nuk mund t’i besoja fjalëve të tij. Pendimi i tij ishte pendimi fallso, i një njeriu që ka humbur gjithçka dhe mundohet të shpëtojë çfarë të mundi. Papritur, ai na qenkësh shndërruar në një demokrat të madh. Dëgjoni tani historinë e dhimbshme, që ka lidhje me këtë njeri dhe gjykojeni vetë atë.

Ishim në kampin e Bulqizës. Ai ishte emëruar Operativ i Sigurimit në atë kamp. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer nga puna të rraskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi: – Përse nuk e realizove normën?!

– Isha i sëmurë zoti toger! – u përgjigj djaloshi, me gjysmë zëri. Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta, në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte, me kamxhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara, për këtë qëllim.

Kur u err, dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamxhik, duke kërkuar t’i tregonte, se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni, që ndodhej afër kapanonit tonë.

Caktoi edhe dy roje, për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë, nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit, ato pushuan. Mirditori trim, kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

– Shpormu nga sytë! – thirra, sapo më kaloi vegimi që m’u shfaq. Por ai e kishte kuptuar me kohë dhe ishte zhdukur. Një tronditje të thellë, ndjeja brenda vetes time. Më ishte hapur një plagë e cila kishte zënë kore. Në atë kohë, m’u kujtua një film gjerman që kisha parë në fëmijërinë time. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej “Vrasësit janë midis nesh”.

Në qendër të filmit, ishte një mjek nazist, që ndonëse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë, ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij, kryente eksperimente nga më monstruozet, për torturimin dhe shfarosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe ai si shumë të tjerë, dolën në bangën e të akuzuarve.

Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha skenat e atij filmi. Vetëm njëra nuk me është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut, duke thërritur: – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit, që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.

Një zgjidhje e përkryer regjisoriale. Duke kujtuar këtë skenë dhe atë të djaloshit mirditor, pyes:
– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Përgjigja është një, dhe e prerë: Po. Janë hetuesit dhe ish- punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirt, që mbartin në ndërgjegjen e tyre, qindra dhe mijëra të vrarë apo të vdekur nëpër burgje, të cilëve nuk u dihen as varret.

Janë spiunët e sistemit që presin rastin, për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerëz të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen si mjeku gjerman?

Por janë edhe një lloj tjetër vrasësish, më të rrezikshëm dhe më kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonëse sot janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme, për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo.

Mund t’i gjesh në partitë politike, në shoqatat’ bile edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar, ata sot bredhin lirisht duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve.

Ata ngjiren duke thërritur:- Jemi te pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur! Sikur të mos ishin këta njerëz të pa princip që e mbajtën gjallë atë sistem për gati një gjysëm shekulli…!

Po kush pra qenka fajtori për gjithë këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona?! Memorie.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat