Sezoni turistik, 1700 punonjës policie në monitorim të vijës bregetare

Shqipëria

Sezoni turistik, 1700 punonjës policie në monitorim të vijës bregetare

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

1700 punonjës policie dhe efektivët e Njësisë Policore Detare, të mirëpajisur dhe të mirëtrajnuar, kanë filluar prej ditës së djeshme të monitorojnë vijën bregdetare dhe zonat turistike të vendit, në kuadër të sezonit turistik 2023.

Objektiva madhorë, siguria e pushuesve, vizitorëve, turistëve dhe qytetarëve, si dhe mbarëvajtja e plotë e pa inicidente e sezonit turistik.

Këto objektiva synohet të përmbushen nëpërmjet kontrolleve të shtuara në terren, për të parandaluar paligjshmëritë në tërësi, ndotjen akustike, krimet kundër mjedisit, ndërtimet e paligjshme, incidentet në det, krimet kufitare dhe aksidentet rrugore, si dhe duke ndihmuar qytetarët, turistët dhe pushuesit që gjenden në nevojë apo që hasin problematika.

Nga dje, shërbimet e Policisë kanë filluar patrullimin me biçikleta në plazhe, për të qenë më pranë pushuesve dhe më fleksibël, me qëllim përmbushjen e plotë dhe efektive të detyrave funksionale.

Ndërkaq, efektivët e Njësisë Policore Detare do të patrullojnë në det, përgjatë gjithë vijës bregdetare, jo vetëm në fundjavë, por çdo ditë, deri në përfundim të sezonit. Kjo njësi do të koordinojë veprimet me punonjësit e Policisë me biçikleta nga toka, dhe me punonjës policie të tjerë të caktuar për të monitoruar vijën bregdetare nga toka, me qëllim që për cilindo që do të tentojë të cenojë perimetrin e sigurisë së pushuesve në plazhe, do të njoftohen patrullat e Njësisë Policore Detare të cilat do të ndërhyjnë për të bllokuar mjetet lundruese dhe për të ndëshkuar pronarët dhe administratorët e tyre, sipas ligjit.

Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe sigurisë në zona malore, janë planifikuar shërbime shtesë të Policisë, në zonat turistike: Theth, Valbonë, Lurë, Voskopojë dhe Dardhë. Në vijim, në Theth dhe në Valbonë do të ngrihen stacione Policie provizore.

Në vijim, forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë në gatishmëri për të ndërhyrë për çdo rast paligjshmërie që është pjesë e detyrave të tyre funksionale, si dhe në bashkëpunim me Policinë Alpine do të ndërhynë kurdo kur qytetarë, turistë apo vizitorë do të hasin problematika gjatë eksplorimit të zonave të thella malore.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të vijojnë të bashkëpunojnë me Policinë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushim objektivin madhor, sezon turistik plotësisht të sigurtë, në interes të jetës së qytetarëve, pushuesve dhe turistëve, si dhe në interes të imazhit të vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat