Operacioni antikanabis në Lezhë, Balla: 2 oficerë policie në ortakëri me trafikantët

Shqipëria

Operacioni antikanabis në Lezhë, Balla: 2 oficerë policie në ortakëri me trafikantët

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 16:28
Ministri i Brendshëm Taulant Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionin e ditës së sotme në Lezhë, ku u asgjësuan 810 rrënjë narkotike.

Në një njoftim për mediat, Balla bën me dije se dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ishin në ortakëri me trafikantët.
Ai bën me dije se këto të fundit tashmë janë në duart e drejtësisë.

“Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot. Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët. Ata tani janë në duart e drejtësisë. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Lezhë, ku bashkë me punonjësit e policisë është goditur edhe një grup kriminal”, shkruan Balla.

Gjithashtu Balla në shënimin e tij shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat