Berisha: Raporti për farsën zgjedhore të 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve

Shqipëria

Berisha: Raporti për farsën zgjedhore të 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 14:06
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha tha për mediat këtë të martë se raporti i “Rithemelimit” për farsën zgjedhore të 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve, do ju dorëzohet kancelarive perëndimore.

Ai tha se në këtë raport është drama e një kombi të cilit ju mohua e drejta e votës dhe se ky raport fakton se kryeministri Rama është angazhuar që ta bëjë atë procesin zgjedhor më të pabarabartë që Shqipëria kishte parë ndonjëherë nga viti 1990 deri më sot.

“Zonja dhe zotërinj, anëtarë të kryesisë së PD. Të dashur qytetarë shqiptarë. Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e raportit të procesit zgjedhor me në krye z.Bylykbashi, znj.Albana Vokshi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Ervin Minarolli, dhe të tjerë mund të them se kanë bërë një punë jashtëzakonisht serioze.

Ata në mbi 600 faqe, dhe ky është raporti. Në mbi 600 faqe kanë dokumentuar me fakte, me dokumente të gjithë farsën zgjedhore të 14 majit. Ky ishte detyrim madhor i yni. Forca jonë politike i detyrohej çdo qytetari shqiptar që beson në zgjedhje të lira, çdo demokrati dhe demokrateje që investoi në këtë proces zgjedhor.

Ky raport i cili tashmë është dërguar dhe në institucione ndërkombëtare, do t’iu dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore, do t’i dorëzohet të gjitha mediave në Shqipëri dhe në botë, të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është raporti i dramës së një kombi që i kanë mohuar të drejtën e votimit, ose ia kanë shndërruar në fiktive të drejtën e votimit.

Është raporti që akuzon një shtet të inkriminuar nga baza, deri në kreun e tij Edi Ramën, që asgjëson Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për karrigen e tij. Është raporti që fakton se si Edi Rama, pasi shpalli kodin zgjedhor kinezëri, kushtetutën e procesit zgjedhor që në tërësinë e tij mishëron parimet më kryesore të Kushtetutës së vendit, të Kodit të Venecias, Kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare.

Pasi i ra kryq dhe tha se ky është një kinezëri, ai u angazhua me përkushtimin më të madh në farsën më të shëmtuar zgjedhore në historinë e vendit, në procesin zgjedhor më të pabarabartë që Shqipëria kishte parë ndonjëherë nga viti 1990 deri më sot”,-tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat