Rritet taksa e pronës, qeveria hedh për konsultim pr.ligjin që 3-fishon tarifat

Shqipëria

Rritet taksa e pronës, qeveria hedh për konsultim pr.ligjin që 3-fishon tarifat

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Një projektligj i ri “Për taksën e pasurisë së paluajtshme” i hedhur për konsultim publik nga qeveria  gjatë muajit gusht, parashikon që të rrisë ndjeshëm taksën e pronës. Si rrjedhojë e këtij projektligji rriten edhe tarifat mujore e vjetore të familjeve e bizneseve për pronat e paluajtshme që posedojnë.

Aktualisht, taksa e pasurisë në bazë të ligjit të vitit 2018 është 0,05% e vlerës së apartamenteve, ndërsa me projektligjin e ri parashikohet që të rritet duke shkuar nga 0.1% deri në 0.2%.

“Qëllimi i kësaj nisme është të mbështesë ndërtimin e një sistemi modern, funksional, transparent dhe të qëndrueshëm për taksimin e pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tyre të tregut, për të mundësuar rritjen e nivelit aktual të të ardhurave nga taksa e pasurisë dhe garantuar në njëjtën kohë, më shumë drejtësi për taksapaguesit e më pak kosto për administrimin e taksës. Kjo do të çojë në fuqizimin e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe transformimin e tyre në njësi të konsoliduara financiare në të ardhmen”, thuhet në relacionin shoqërues të pr.ligjit të hedhur për konsultim.

Përveç rritjes së koeficientit, së fundmi është shtuar ndjeshëm dhe vlera e referencës mbi bazën e të cilit do të bëhet llogaritja e taksës, apo dhe çmimi i tregut.

Projektligji parashikon që të ardhurat në buxhetin e shtetit nga taksa e pasurisë të arrijnë në nivelin mes 0.7-1.1 për qind të PBB. Për banesat dhe pronat e tjera, ligji parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2026 ndërsa për truallin vitin 2028.

Familjet dhe bizneset shqiptare aktualisht paguajnë rreth 6.1 miliardë lekë në vit, si taksë mbi pronat e paluajtshme që ata kanë. Kjo është shifra e publikuar nga Ministria e Financave për vitin 2022 dhe korrespondon të jetë 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat