Zbardhen detaje nga dosja e “Flakë në det”: Bisedat e ish-policit me “Kapelen”, si do shkëmbehej kanabisi me kokainë

Shqipëria

Zbardhen detaje nga dosja e “Flakë në det”: Bisedat e ish-policit me “Kapelen”, si do shkëmbehej kanabisi me kokainë

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Klan News ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Tiranës për arrestimin e 6 personave (4 shqiptarë e dy ukrainas) si rezultat i operacionit ndërkombëtar të quajtur “Flakë në det”.

6 trafikantët e drogës (Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;   Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;  Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;  Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë) janë lënë në burg nga Gjykata Penale, ndërkohë që mësohen detaje të reja mbi rastin.

“Nga këqyrja e aparatit celular të shtetasit Arlind Ismailukaj rezulton se me datë 15.08.2023 nga ora 02:58, ky shtetas ka komunikuar me një person me pseudonimin “kapelja”, i cili sipas të dhënave nga policia gjyqësore është shtetasi i quajtur Arben Dalipaj, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i mjetit lundrues gomone që u nis nga ‘Royal Blue’ në Patok bashkë me të dyshuarin Besnik Byberi, i cili u kap në flagrancë nga policia. Mësohet se të dy do e dorëzonin lëndën narkotike te “Royal Blue”, thuhet në dosje.

Po ashtu, gjithmonë sipas asaj që shkruhet në dosje, në kroskotin e makinës tip “Audi” të ish-policit Arlind Ismailukaj policia ka gjetur shuma të ndryshme parash.

Kujtojmë se gomonia u pikas nga forcat policore teksa lundronte me shpejtësi drejt velierës “Niula”. Kjo e fundit kishte flamur të huaj dhe ishte futur pa leje në ujërat e territorit shqiptar, në afërsi të Kepit të Rodonit. Në velierë ndodheshin dy shtetasit ukrainas, ndërsa në gomonen e cila u ndoq nga policia ishin 4 shqiptarët.

Mësohet se grupi i shqiptarëve do ta shkëmbente lëndën narkotike kanabis me kokainë në ambientet e lokalit “Royal Blue” e më pas do të kryhej trafikimi i saj. Policia u ka sekuestruar: 28 kg kanabis, 2 armë, 200 fishekë luftarakë, një “Audi”, 45 mijë euro, 250 mijë lekë, 2 mijë lira turke, 500 paund dhe 25 celularë.

Hetimi po drejtohet nga prokurori i SPAK Vladimir Mara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat