Tronditëse/ 37-vjeçari merr peng nënën e motrën dhe i kërcënon me thikë në dorë, plagoset edhe një 41-vjeçar

Shqipëria

Tronditëse/ 37-vjeçari merr peng nënën e motrën dhe i kërcënon me thikë në dorë, plagoset edhe një 41-vjeçar

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë ka tmerruar dje Kuçovën. Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi mbajti peng për 2 orë në një nga dhomat e shtëpisë nënën dhe motrën, duke i kërcënuar me thikë se do i vriste.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen "11 Janari", ku 37-vjeçari Gjergji Salla u arrestua vetëm pasi fqinjët e familjes njoftuan policinë, që arriti ta neutralizojë. Mësohet se 37-vjeçari është me probleme të shëndetit mendor dhe prej dy javësh refuzonte të pinte ilaçet dhe ishte agresiv.

Lidhur me këtë ngjarje po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, një 41-vjeçar është plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme pas një konflikti të ndodhur qytetin e Kuçovës. Pas plagosjes mësohet se ai është transportuar drejt spitalit. Bëhet me dije se policia ka mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sakaq, janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit/ve.

“Rreth orës 20:20, në qytetin e Kuçovës, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit është plagosur me mjet të mprehtë (thikë), shtetasi E.B., 41 vjeç, banues në Kuçovë, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit/ve. Janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen dhe po këqyrjen kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat