Operacionet antidrogë/ Balla pezullohen shefin e Komisariatit të Velipojës dhe 3 oficerë

Shqipëria

Operacionet antidrogë/ Balla pezullohen shefin e Komisariatit të Velipojës dhe 3 oficerë

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 13:09
Taulant Balla

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka pezulluar nga detyra shefin e Komisariatit të Velipojë dhe tre oficerë.

Gjithçka, lidhet me dy rastet e fundit të zbulimit të mbi 10 mijë bimëve kanabis të kultivuara në Velipojë si dhe kapjes së një ngarkese me hashash në Pikën e Kalimit Kufitar me Malin e Zi.

Sakaq, Balla ka deklaruar se ky është vetëm hapi i parë ndërshkimor për mbylljen e syve apo ndoshta edhe përfshirjen e tyre në bordorotë e grupeve kriminale që prisnin të korrnin ato 10 mijë bimë narkotike.

Sipas ministrit, vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit nga kushdo që tradhëton këtë luftë do të vazhdojë çdo ditë, pa kthim pas!

Postimi i plotë i Ballës:

Ndërsa gjatë javëve të fundit Policia e Shtetit ka zhvilluar shumë operacione lokale dhe në nivel kombëtar kundër kultivimit të lëndëve narkotike, jam edhe më i bindur se kjo luftë duhet të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. E kam thënë që ditën e parë në detyrë se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka mundësi të vetme të korret, pa një shef që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur apo kontrolluar në një pikë kalimi kufitar.

Goditja e një rasti tjetër kultivimi të bimëve narkotike, në Velipojë, ku u asgjësuan mbi 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, nxorri në pah edhe përgjegjësinë apo mbylljen e syve të strukturave përkatëse të Policisë vendore. Pezullimi i menjëhershëm i Shefit të Stacionit të Policisë së Shtetit Velipojë bashkë me tre oficerë të tjerë policie në këtë stacion, është vetëm hapi i parë ndërshkimor për mbylljen e syve apo ndoshta edhe përfshirjen e tyre në bordorotë e grupeve kriminale që prisnin të korrnin ato 10 mijë bimë narkotike. Prandaj vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit nga kushdo që tradhëton këtë luftë do të vazhdojë çdo ditë, pa kthim pas!

Gjithashtu, nisur nga rastet e kapjes së lëndës narkotike në pikat e kalimit kufitar, Agjensia e Mbikqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë duhet të hetojnë plotësisht gjithë rrugëtimin që nga momenti i kultivimit apo hyrjes në territorin e vendit tonë, për të nxjerrë përgjegjësinë e atyre drejtorëve, shefave apo kontrollorëve policie që nuk e kanë bërë detyrën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat