Ministri i Financave Ervin Mete: Vlerësimi i S&P, rezultat i menaxhimit fiskal dhe uljes së borxhit

Shqipëria

Ministri i Financave Ervin Mete: Vlerësimi i S&P, rezultat i menaxhimit fiskal dhe uljes së borxhit

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 16:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Financave Ervin Mete së bashku me zëvendës ministren Adela Xhemali kanë shpjeguar vlerësimin e fundit nga agjencia prestigjioze Standard&Poor’s, duke treguar procesin që ka çuar në këtë rezultat dhe përfitimet e mundshme për Shqipërinë.

Dje agjencia Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+.

Sipas ministrit, Agjencitë ndërkombëtare si Standard&Poor’s vlerësojnë aftësinë kreditore të vendeve të caktuara, që do të thotë se ato vlerësojnë se sa gjasa ka një vend për të shlyer borxhet e tij.

Agjencitë e vlerësimit pasi mbledhin dhe analizojnë informacione për të dhënat ekonomike – PBB, inflacionin, politikat fiskale dhe monetare, stabilitetin politik dhe faktorë të tjerë institucionalë të rëndësishëm, – gjykojnë sesi vendi menaxhon financat e tij, nëse ka një qëndrueshmëri institucionale, si edhe ecurinë e ekonomisë dhe reformave.

Bazuar në këto analiza, agjencia e vlerësimit jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje.
Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta.

“Vlerësimi i përmirësuar është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë Shqiptare. Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm.

Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndërkohë që turizmi ka patur një zgjerim të jazhtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori.

Si rezultat i përmirësimit të bilancit tregtar, të ardhurave nga turizmi dhe i investimeve të huaja direkte, ka patur përmirësim të ndjeshëm të ekuilibrit të jashtëm. Llogaria korrente, rezultati i të gjithë marrëdhënieve të vendit me jashtë, pritet të zbresë poshtë 6% të PBB-së për herë të parë pas 15 vitesh.

Vlerësimi i Standard&Poor’s është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore dhe procesin e integrimit evropian. Në veçanti ulja e nivelit të borxhit publik dhe progresi i reformave kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë vlerësim pozitiv.

Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë, që këto vlerësime mund të ndryshojnë me kalimin e kohës bazuar në mënyrën se si evoluon situata ekonomike dhe politike e një vendi. Ndaj përpjekjet për thellimin e reformave dhe përmirësimin e parametrave ekonomikë dhe të mirëqenies së qytetarëve vijojnë të mbeten thelbësore”, tha Mete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat