Me 12 tetor Kuvendi i Shqipërisë mban seancë të posaçme për Kosovën

Shqipëria

Me 12 tetor Kuvendi i Shqipërisë mban seancë të posaçme për Kosovën

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 14:49
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që me 12 tetor ta mbajë seancën e posaçme për Kosovën , për miratimin e një rezolute rreth situatës në Kosovë

Seanca nga takimi i Konferencës së Kryetarëve, u shoqërua me debate ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi kërkoi seancë urgjente, për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë.

“Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar”, ka thënë deputeti shqiptar, Bardhi.

Nga ana tjetër PS propozoi që rezoluta dhe mocioni me debat të mos jenë urgjente.

“Propozoj që debati bashkë me rezolutën të bëhen më 19 Tetor”, ka thënë fillimisht kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë që kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi u shpreh se ” Nuk mund të nxitojmë. Çdo rezolutë duhet të mbajë ndër mend pozicionin e Shqipërisë që ka në NATO dhe në çdo organizëm. Data mund të rishikohet që të jetë më shpejt, ndoshta të enjten e seancës. Por të hënën nuk mund ta bëjmë dot”.

Tabaku ka theksuar se “shembullin për rezolutë të përbashkët na e dha Kosova. Nuk e kemi kompleks. Rëndësi ka vullneti, mund ta arrimë edhe të hënën”, raporton Euronews.

Pas diskutimeve u vendos që seanca e posaçme të mbahet më 12 tetor dhe debati për Kosovën të zgjasë 5 orë në parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu palët kanë rënë dakord të dalin me një rezolutë të përbashkët për dënimit e sulmit të 24 shtatorit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat