Policia i rrethon banesën dhe resortin/ Kush është ish-oficeri Gëzim Çela, ‘baroni’ i drogës me ‘karrierë’ të gjatë në botën e krimit

Shqipëria

Policia i rrethon banesën dhe resortin/ Kush është ish-oficeri Gëzim Çela, ‘baroni’ i drogës me ‘karrierë’ të gjatë në botën e krimit

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 20:49
Gëzim Çela

Policia ka zbarkuar sot në banesën dhe resortin në pronësi të Gëzim Çelës, person në arrati dhe i njohur për drejtësinë, ndërkohë që rezulton i dënuar me 20 vite burgim.

Po kush është Gëzim Çela? Ky i fundit rezulton i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”, ndërsa ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

NGA ISH-OFICER NË BARON DROGE

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës.

Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat