LIVE: Miratohet rezoluta për Kosovën, tensionohet situata – deputetët bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda

Shqipëria

LIVE: Miratohet rezoluta për Kosovën, tensionohet situata – deputetët bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 17:02 më 12.10.2023
Kuvendi i Shqipërisë

Deputetët e opozitës bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda

Momenti i votimit në seancën e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione.

Kjo pasi deputeti i PD, Flamur Noka i është drejtuar foltores, e cila është bllokuar menjëherë nga Garda.

Deputetë të tjerë të opozitës i janë drejtuar po ashtu foltores pasi mazhoranca dhe opozita bashkuan votat e tyre për miratimin e Rezolutës për Kosovën.

Tensionet u ngritën pasi kryeparlamentarja Nikolla vijoi me ngritjen e ligjeve të tjera për miratim, gjë që solli edhe reagimin e opozitës.

Kuvendi rrëzon dy kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore

Janë rrëzuar këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë dy kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore  për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe koncesionet ne shëndetësi.

Gjithashtu është rrëzuar dhe kërkesa e Gazment Bardhit për ndryshimin e përbërjes së komisionit te reformës zgjedhore.

Kujtojmë se në një shkresë të dërguar më herët kryetares së kuvendit Lindita Nikolla.

Gazment Bardhi argumenton faktin se në seancën e datës 21 shtator, është vendosur që ky projektvendim të futet në seancën e radhës gjë që nuk është reflektuar nga kryetarja e Kuvendit.

Miratohet me asnjë votë kundër rezoluta për Kosovën

Me 101 vota pro Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën ku dënohet sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë, nga ku asnjë nuk votoi kundër, por pati 1 abstenim.

“Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë përherë me Kosovën, në ditë të mira dhe në kohë të vështira. Kosova mbetet projekti i madh strategjik i Shqipërisë dhe po aq mbetet projekti i madh sovraniteti dhe integriteti territorial i saj,” – u shpreh kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli.

Edhe pse u dakordësua me mazhorancën socialiste për të dalë me një draft të përbashkët për Kosovën, Sali Berisha nuk i ndali akuzat ndaj kryeministrit Rama.

“Unë garantoj shqiptarët se Rama vazhdon si argat i Vuçiçit çdo ditë dhe çdo javë e muaj përpjekje për zbatimin e projektit të tyre të ndarjes së Kosovës. Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb,” – tha Berisha.

Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha e kundërshtoi draftin e punuar mes Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar demokrat, të drejtuar nga Gazment Bardhi, duke sjell në Kuvend 3 amendamente nga deputeti Kreshnik Çollaku.

 “Ky tekst me 3 fjali që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i përgjigjet aktit më të rëndë pas luftërave në Ballkan, një agresioni ushtarak ndaj veriut të Kosovës është një tekst që mua më turpëron. Ky është një tekst i cili mungon të përcjellë zërin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës,” – deklaroi Çollaku.

​Hasani: Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte kambanë alarmi për të gjithë. Sipas tij, zhvillimet që ndodhën më pas janë burim i madh shqetësimi. Ai në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme. Ministri i Jashtëm bëri të ditur se javën e ardhshme në Nju Jork do të organizohet takim kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve.

Në interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë, Hasani u shpreh se Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit.

Hasani: Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi

“Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas, janë një burim i madh shqetësimi. Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen, Serbia vendosi të shpallë me nxitim një ditë zije për 3 kriminelë, synimi i të cilëve ishte cenimi më dhunë i rendit e sigurisë në Kosovë, ishte një sinjal jo vetëm i keq por dhe më i rrezikshmi, që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euro-atlantik. Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë”, deklaroi ai.

Në seancë plenare, Hasani shtoi se çdo përpjekje e Serbisë apo e kujtdo tjetër për ta relativizuar atë që ndodhi në 24 shtator, është e kotë dhe do të mbetet e dështuar.

Ministri i Jashtëm tha se i takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë, serioz, të gjithanshëm dhe të dalë me konkluzionet e nevojshme duke vënë fajtorët para ligjit.

Hasani: Dialogu nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme

“Dialogu nuk mund e nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme, as i lojërave politike apo interesave afatshkurtra, pasi ecuria dhe rezultati i tij nuk kanë të bëjnë vetëm me Kosovën dhe Serbinë por edhe me të ardhmen e gjithë rajonit. Është kësisoj bindja jonë që dialogu duhet të vazhdojë pa humbur asnjë moment, pasi çdo kohë e humbur ka çmim pakrahasueshëm më të lartë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, shtoi Hasani.

Në deklarimin e tij, Hasani deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë ta ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik.

Hasani: Shqipëria do të vazhdojë të ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik

“Ka një konstante që duhet theksuar që në krye të herës: Shqipëria e ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik. Nuk ka si të jetë tjetërsoj, duke pasur parasysh se jemi dy vende por një popull, dy shtete por një hapësirë e sigurisë në rritje dhe e zhvillimit demokratik të pandërprerë. Mbështetja jonë për të zgjeruar gjeografinë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, forcimin e profilit të saj si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe mbështetja në anëtarësimin në institucionet euro-atlantike, garantimin e stabilitetit e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e gjithnjë e më të ngushtë, të gjitha këto janë një prioritet absolut i politikës sonë të jashtme”, deklaroi ai.

Ai u shpreh se Kosova është pjesë e agjendës në çdo takim e format, duke shtuar se javën e ardhshme në Nju Jork do të organizohet një takim në Këshill të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit.

Hasani: Në Nju Jork do të organizojmë një takim kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve

“Javën e ardhshme, ne do të organizojmë në Nju Jork një takim të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit. Përfaqësues të lartë nga Kosova do të ketë mundësinë të ndajnë me mbarë botën, në forumin më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave e vajzave kosovare, viktima të sulmeve barbare të ushtrisë së Milosheviqit por edhe domosdoshmërinë për të bërë çmos për të vënë autorët para drejtësisë”, vijoi ai në deklarimin e tij”, përfundoi ai.

Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”. 

Berisha: Fjalimi i Ramës ishte shkruar në zyrat e Vuçiçit, cili ishte qëllimi i tij

Sali Berisha ka mbajtur fjalën në Kuvend, kuka folurnë lidhje me rezolutën për dënimin Serbisë për sulmin në Veri.

Ai theksoi se fjalimi i Ramës, ishte fjalim i shkruar në zyrat e Aleksandër Vuçiçit. Sipas tij fjalimi kishte qëllim kryesor, në prag të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, të portretizonte si djall me zile, kryeministrin e Kosovës.

Fjala e Berishës:

Zonja drejtuese e seancës, që sot nderove në mënyrën më hipokrite deputetët martirë të opozitës së parë shqiptare, sepse ke përjashtuar 8 deputetë të opozitës në shkelje të çdo ligji, çdo rregulli, çdo norme nga parlamenti, me arbitraritetin e padronit tënd si skllave e tij.

Por sot jam këtu për të denoncuar përsëri atë që popu;lli e Kosovës e quan vëllau i Vuçiçit, analistë të mirënjohur perëndimorë e quajnë Pashiqi shqipfolës, kurse PD e ka shpallur prej vitesh argat i Vuçiçit dhe i Beogradit.

E denoncoj sot sepse në një kohë kur u arrit një konsensus për t’i dhënë mbështetje të plotë rezolutës së Republikës së Kosovës, ai lexoi këtu një fjalim të shkruar fjalë për fjalë dhe rresht për rresht në Beograd

Sot, kreu juaj kishte ndërruar fjalimshkruesin. Fjalimi që lexoi këtu para jush është fjalim i shkruar në zyrat e Aleksandër Vuçiçit.

Ky fjalim kishte qëllim kryesor, në prag të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, të portretizonte si djall me zile, kryeministrin e Kosovës.

Kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandër Vuçiç.

Kishte për qëllim të bllokonte çdo lloj përpjekje që mund të bëhej për ndonjë hap pozitiv në drejtim të klimës midis Serbisë dhe Kosovës, klimë konflikti pas agresionit të grupeve terroriste, të dërguara nga Serbia, të armatosura në Serbi. Dhe të strehuara tani në Serbi.

A e shihni pra, se si u përdor sot, kjo platformë?

Çuçi: Shqipëria ka mbështetur dhe do të mbështesë popullin e qeverinë e Kosovës

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi në fjalën e tij në Kuvend tha se PS do të votojë rezolutën për dënimin e Serbisë për sulmin në Veri.

Ai theksoi se Shqipëria dhe PS kanë mbështetur dhe do të mbështesin popullin e Kosovës dhe qeverinë e saj.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, lidhur me këtë sulm terrorist që do e miratojmë sot, është konfirmim i përkrahjes së plotë dhe të palëkundur të Kuvendit të Shqipërisë për popullin e Kosovës dhe qeverinë e saj dhe nuk ka si të ndodh ndryshe.

PS dhe shqiptarët kanë qenë dhe  janë gjithmonë në krah të vëllezërve dhe motrave në Kosovë ashtu siç në vitin 1990”-tha ai.

Salianji i drejtohet Ramës në Kuvend: Në fjalën tënde nuk përmende Vuçiçin, por armiqësinë me Kurtin

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji iu drejtua kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit mbajti fjalën e tij në Kuvend, në lidhje me rezolutën për Kosovën dhe ngjarjeve të ndodhura në Veri.

Salianji u shpreh se Rama, gjatë fjalës së tij, nuk përmendi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, por ‘armiqësinë’ me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“E dëgjuat gjatë gjithë kohës sesi kryeminsitri foli për mocion, por nuk prezantoi mocion. Ia u kërkova në fillim të seancës, që është vendosur bashkimi i interpelancës dhe mocionit për debat, duhet të bëhej prezantimi i kërkesës nga ana jonë dhe më pas të vazhdonte debati. Ju e keni marrë peng Kuvendin dhe unë nuk jam te ata që mendojnë se kryeministri është debatues i dobët apo ka frikë nga fjala, por është mësuar dhe i është bërë ves, që ta ketë të trukuar debatin. E patë sesi kryeministri nuk foli për Kosovën, kryeministri mbrojti veten për qëndrimet e tij ndaj Kosovës. E patë sesi në një 1 orë e gjysmë sesi kryeministri nuk foli për Vuçiçin dhe Serbinë, por foli për armiqësinë me Kurtin dhe Kosovën. E patë sesi në fund thotë një të pavërtetë të madhe, Edi Rama u detyrua bashkë me PS të pranojë kërkesën tonë, për të miratuar rezolutën ashtu siç ne e paraqitëm.

Fjalimi i tij i sotëm, ishte një fjalim kundër kësaj rezolute, që po ju, të nderuar kolegë do të votonit. Një fjalë kundër rezolutës, që gjasmë është dakordësuar nga Partia Socialiste”, theksoi ai.

Rezoluta/ Rama-opozitës: O votoni, o bërtisni nga dritaret e 7 partive tuaja ‘poshtë tradhtarët e kombit, vdekje vëllat të Vuçiçit’

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po mban fjalim në Kuvned rreth rezolutës prë Kosovën.

Rama: Kur vllau i vogël gabon i madhi i thotë rri drejtë aty, le të hidhen përpjetë ata që kanë miza nën kësulë

Unë presidentin e Serbisë as e kam zgjedhur as e kemi zgjedhur e as do e zgjedhim dot, ashtu sikundër Zoti nuk na pyeti kur na vuri serbët ngjitur. Ne jemi këtu ata janë aty e ardhmja është para nesh, sic është e shkuara pas nesh. Vucicin e kam takuar dhe do e takoj sa herë ta shoh të nevojshme, i shërbej më mirë interesit të Shqipërisë dhe Kosovës bashkë. Kur flas nga gjëra që s kanë ndodhur kurrë, si psh ajo ndarja e fshehtë e Kosovës, se kjo është për t’u tronditur, si mund ta ndash një shtet fshehtas, sic i ndanin paratë e vjedhura ata që këtu në Tiranë e shpëtuan Kosovën nga ndarja.

Shqiptarët duhet të luftojnë për paqen përfundimtare në rajon. Shqipëria duhet të luajën rolin e saj si pjesë e europës në Ballkan, duhet të bëjë të sajën për Kosovën dhe paqen.Sot vëlla mund ta kem këdo që s me kupton kur flas për paqen, por nuk e dëgjoj. Sepse degjoj Regan, Kamy, e Lincoln si njerëz që kanë parë luftën. Sepse dëgjoj zërin e arsyes historike të kësaj bote që thotë se Luftën e ka fituar Kosova ndaj Serbisë, dhe ai që ka fituar luftën është më i interesuar për paqe se ai që e ka humbur luftën.

Pikturohen tradhtarë në mure sikur nuk ka ikur Enveri nga kjo botë. Kurrë Shqipëria nuk do barrikadohet politikisht ndaj askujt përfshi edhe Serbinë. Interesi madhor është të luftojmë për paqe që garaton siguri të plotë. Kur siguria humbet të gjitha  të tjerat nuk vlejnë më asgjë. Do luftojmë të afrojmë sa më shumë të ardhmen e mohuar, do luftojmë me strategji, jo me tension me kurrizin e kthyer nga aleatët dhe me iluzionin se jemi të domosdoshëm për botën demokratike. Nuk duhet të trashëgojmë konflikte, por paqe, miqësi të reja.

I keni rënë gjatë daulleve, të paktën mos më kërkoni, po më mori malli vi vetë, e vetmja mënyrë të hypni në qeveri është të kapni karriget kur PS është pushim. Ju o do votoni rezolutën tonë, atë të thjeshtën fare që nuk i  drejtohet planetit, por i drejtohet njerëzve institucioneve, ose ato tuat i votoni në mbledhjet e 7 partive të tua, e duke bërtitur nga 7 penxheret ‘poshtë tradhtarët e kombit, vdekje vëllat të Vucicit’. Do linjëzohemi 100 % në shenjë solidariteti me Kuvendin e Kosovës. Gëzuar.

“Lufta diplomatike nuk fitohet duke u izoluar nga aleatët”, Rama: Serbia dorëzohet vetëm në tavolinë

Kryeministri Edi Rama u shpreh në Kuvend se Serbia do të dorëzohet diplomatikisht dhe të pranojë njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur vetëm duke u ulur në tavolinë.

Rama: Mund t’ju shqiten iluzione votuesve për zgjedhjet e radhës duke u marrë mendjen me fabulën politike se si Kosova u çlirua nga Hashimi apo se si po mbrohet në llogore nga Serbia dhe Perëndimorët mendjelehtë që s’e kuptojnë Serbinë dhe që kanë harruar këtë edhe atë, dhe vetë historinë e tyre. Me këto plotformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk do të arrihet kurrë, përkundrazi shtyhet pafundësisht.

Por është mirë që teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë mirë sot, se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën, se të jem i bashkë akuzuar me Thaçin si tradhtar dhe nuk ka provë më të madhe se sa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritëshkurtësinë dhe për pa përgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores të lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh kur zhgarravitësit e sotëm të saj do të jenë harruar pa nam e pa nishan, kujtojnë se fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës pa të cilët, UCK nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën dhe Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës dhe fatkeqësisht kujtojnë se lufta diplomatike fitohet duke nxitur armiqësi ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe ndaj meje personalisht, Por as nuk kemi nevojë të marrim leje për të mbështetur kauzën e shtet njohjes së Kosovës me këmbëngulje, urtësi dhe vetëdijen e kësaj kohe që jetojmë, ku historia nuk shquhet me parrula duke parë nga e shkuara por me veprimin strategjik, duke parë nga e ardhmja. Nuk shkruhet si Oso Kuka dhe i vetëm trim në luftë por dorë për dore dhe me ato aleatë që dorë për dore shkruan historinë e fitores së lirisë me armët e UCK dhe me bombat e regjimit të së keqes së madhe në Beograd.

E mendoj shpesh se sa herë mund të rrotullohet në varr i ndjeri Ibrahim Rugova kur sheh se si djem dhe vajza të sotme të Prishtinës i bëjnë karshillëk komunitetit euro atlantik ndërkohë që ai komunitet përmes, Gjermanisë dhe Francës iu ka bënë një tryezë një plan daljeje përfundimtare në dritën e subjekteve shtetërore të Kombeve të Bashkuara por nuk arrin dot t’i mbajë ulur në tavolinë deri në ditën kur Serbia të dorëzohet diplomatikisht. Serbia do të dorëzohet diplomatikisht në tavolinë.

“Thaçi dhe komandantët sollën lirinë”, Rama: Pse nuk përgatisin një draft-rezolutë për procesin në Hagë

“Këta janë po të njëjtët që jo vetëm e kanë braktisur atje në Hagë, kryeministrin e Kosovës të dalë nga lufta, por dhe në mungesë kur ai i ka duart e lidhura dhe gojën e mbyllur e fyejnë egërsisht me kamxhikun e një popullizmi skandaloz me një fushatë në rrjetet në Kosovë.

Duket sikur Kosova nuk është çliruar akoma nga Serbia, ama nënkuptohet nëpërmjet këtyre mesazheve, komenteve skuthe se siç u lirua nga Hashimi do të çlirohet dhe nga Serbia.

Kjo është një pabesi ç’edukative dhe nuk është një pabesi thjesht ndaj atyre që janë në Hagë. Ata janë atje se sollën lirinë e Kosovës, por është një pabesi ç’edukative ndaj gjithë brezit të ri të Kosovës, i cili nuk e ka parë luftën dhe falë kontributit të këtyre bie pre kollaj të mendjeve që nuk janë aq sa duhen.

Ata e sollën këtë draft-rezolutën që u bë sebep për këtë debat dhe ata që sjellin dhe më shpesh drafte të tilla deri dhe për ta çuar në këmbë dikturën komuniste nga varri, a na thonë sot pse nuk na sollën ndonjë draft-rezolutë për t’i bërë thirrje botës demokratike të hulumtojë burimin nga rrjedh procesi gjyqësor për Hashim Thaçin dhe tre komandatëve të tjerë të UÇK. Unë për vete di ta them pse shumica nuk e ka sjellë një draft-rezolutë për këtë që sapo thash. Zonja dhe zotërinj të nderuar ky është kuvendi i shtetit dhe nuk është baçja e 7 partive, i një shteti që ka të gjitha mjetet në dispozicion për ta ngritur ndërkombëtarisht këtë çështje dhe do ta bëj kudo dhe kurdoherë, përballë kujdo siç ka bërë dhe do ta bëj gjithmonë”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat