Edhe Elbasani shtrenjtohet! Çmimet e shitjes së banesave janë rritur me 30%

Shqipëria

Edhe Elbasani shtrenjtohet! Çmimet e shitjes së banesave janë rritur me 30%

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Elbasan çmimet e shitjes së apartamenteve, në dy vitet e fundit, kanë pësuar rritje e cila varion nga 20-30%.

Sipas ekspertëve shkak për rritjen e denjshme të çmimeve janë bërë materialet e ndërtimit të cilat gjithashtu kanë pësuar rritje, por tashmë edhe krahu më i shtrenjtë i punës.

“Çmimet e shitjes së apartamenteve dhe qiratë kanë pësuar një rritje, sidomos dy vitet e fundit, paspandemisë. Kjo rritje është e papërballueshme nga klientët. Blerësit kërkojnë nga bankat, bankat kanë problematikat e tyre, vështirësitë në financime. Çmimet në vlerë absolute janë rritur tek 20-30% dy vitet e fundit. Duke parë dhe tregun aktual, në qendër çmimet janë më të larta, variojnë nga 700-1000 euro metri katror për ndërtimet e reja. Një nga arsyet kryesore është rritja e materialeve të ndërtimit, gjithashtu dhe krahu I punës paguhen më shumë dhe këto faktorë ndikojnë në rritjen e çmimeve të apartamenteve”- tha Shpëtim Basha, Agjent imobiliar.

Për një qytet me të ardhura të vogla si Elbasani çmimet e apartamenteve janë të papërballueshme e sidomos për çiftet e reja të cilët i drejtohen bankave për financim.

“Çiftet e reja u drejtohen bankave, për kredi, por kur nuk e përfitojnë kredinë marrin shtëpi me qira, por edhe qiratë kanë pësuar rritje po në masën 20-30%. Pra edhe studentë dhe çifte të reja edhe qiranë e kanë të vështirë ta përballojnë”- tha Basha.

Që të blesh një apartament në qendër, pallat i ri, çmimet variojnë nga 800-900 deri në 1000 euro, për ndërtimet e reja 2022 e në vazhdim. Ndërsa apartamentet e vjetra kanë një çmim bruto që vendosët me çmim tregu.

Përgjatë 2 viteve të fundit në Elbasan janë ndërtuar rreth 450 apartamente. Referuar shitjeve të vitit 2021, janë afro 100 prona të shitura, ndërsa për vitin 2022 janë 150 prona të shitura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat