Projektbuxheti i vitit 2024, nënkryetarja e PL-së: Do t’i zhysë shqiptarët në krizë më të thellë! Mazhoranca mbyll dyert e debatit, ka fikë nga transparenca

Shqipëria

Projektbuxheti i vitit 2024, nënkryetarja e PL-së: Do t’i zhysë shqiptarët në krizë më të thellë! Mazhoranca mbyll dyert e debatit, ka fikë nga transparenca

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 13:18
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një dalje për mediat ka shprehur kritikat saj për projektbuxhetin e viti 2024, duke vlerësuar se ai vetëm rrit taksat dhe shpenzimet për PPP dhe nuk ka planifikuar asnjë paketë sociale për shtresat në nevojë.

Xhixho shprehet se “maxhoranca ka mbyllur dyert e debatit parlamentar, sepse nuk e do as transparencën, as llogaridhënien e aq më pak demokracinë apo parlamentarizmin”.

Deklarata e plotë:

Qeveria ka sjellë në Parlament buxhetin e parashikuar për 2024. Ndërsa ka mbyllur hapësirat për diskutim parlamentar, duke i hequr opozitës në mënyrë antikushtetuese të drejtën për ngritjen e komisioneve hetimore, siç u theksua edhe në progres-raportin e Komisionit Europian, kjo maxhorancë shpreson se do ta kalojë në heshtje buxhetin e ri.

Kjo nuk ndodh dhe jo pa qëllim. Sepse mënyra sesi i ka shpërndarë paratë për vitin tjetër tregon sa thellë është e zhytur në korrupsion.

Me shpresën se duke bllokuar çdo formë të kontrollit parlamentar, shqiptarët do të besojnë vetëm propagandën që u serviret prej saj, qeveria sjell në Parlament një buxhet që do ta rrënojë ekonomikisht shqiptarët.

Mënyra se si shpërndahen paratë e shqiptarëve për vitin 2024 e tregon më së miri se kujt i shërben kjo qeveri.

Çfarë parashikon buxheti 2024 në fakt? Vetëm rrit taksat dhe shpenzimet për PPP dhe nuk ka planifikuar asnjë paketë sociale për shtresat në nevojë, të cilat përballen me dyfishimin e kostos së jetesës për shkak të krizës së çmimeve.

Me bindjen se forca e kartonave i mjafton, kjo maxhorancë ka mbyllur dyert e debatit parlamentar, sepse nuk e do as transparencën, as llogaridhënien e aq më pak demokracinë apo parlamentarizmin.

Po çfarë u sjell buxheti 2024 qytetarëve shqiptarë?

Pikë së pari, rritje të barrës fiskale. Për shkak të dështimit në mbledhjen e të ardhurave, me buxhetin e ri kostoja zhvendoset te qytetarët. Një rritje e taksave në 70 milionë euro parashikohet në buxhetin e vitit 2024.

Barra fiskale rritet për qytetarët dhe bizneset përmes taksës së karbonit, lojërave të fatit, akcizës së duhanit dhe tatimit për profesionet e lira.

Qeveria do të vijojë të diferencojë tatimpaguesit dhe rasti më flagrant është tatimi 23% i profesionistëve të lirë. Ky buxhet godet serisht shtresen e mesme te shoqerise, intelektualet duke i sherbyer vetem nje agende asaj te shpopullimit te vendit.

Buxheti 2024 nuk mbështet kategoritë në nevojë. Kriza e çmimeve është ndier disafish më shumë te shtresat vulnerabël, pensionistët apo studentët, por në buxhetin e PPP-ve dhe klientëve të qeverisë ata janë injoruar tërësisht.

Në kulmin e krizës së çmimeve, ndihma ekonomike është shkurtuar për 500 familje, ka zero rritje për pagesat e papunësisë dhe zero transparencë për indeksimin e pensioneve. Fondi i sigurimeve shoqërore vijon të mbetet në nivelin qesharak prej 2.1%, ndërsa rritja e parashikuar e pagës krijon diferenca, në vend që të bëhej për të gjithë administratën.

Buxheti i PPP dhe klientëve të qeverisë nuk mund të ketë prioritet arsimin.

Fondet për Ministrinë e Arsimit nuk janë rritur, por përkundrazi në zërat për arsimin parauniversitar dhe universitar dhe kërkimin shkencor kanë pësuar rënie. Vetëm 2.29% PPB do jetë buxheti i arsimit që është më i ulti në rajon. Kjo është dramatike për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet arsimi sot. Ndërkohë që kjo qeveri premtoi 5% të PPB, që në fakt është minimumi që mund të ketë një buxhet arsimi sipas standardit të BE-së.

Kjo qeveri që i ka injoruar hapur studentët, pedagogët, mësuesit e nxënësit, duke zbrazur shkollat dhe universitetet e vendit, nuk do ta ketë prioritet arsimin as vitin e ardhshëm.

Po ku do të shkojnë paratë e buxhetit të ri? Qeveria ka menduar t’i çojë atje ku i çon gjithmonë. Koncesionet do të marrin sërish pjesën e luanit, për të mbushur xhepat e klientëve të qeverisë.

Ndërsa do të vijojë rritja e shpenzimeve kapitale, koncensionet si ai i Rrugës së Arbrit, Porti i Jahteve, Check–up, Sterilizimi, Inceneratori i Tiranës do të vijojnë të financohen nga paratë e shqiptarëve të varfër.

Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten për gati me 10%, për vitin e ardhshëm ose me 136 milionë euro. 12 million euro për Inceneratorin e Tiranës

Rindërtimi vijon të thithë ende para, duke arritur në 99 miliardë lekë.

195 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, detyrime që kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes. Në vend që të financonin paketa sociale, këto para shkojnë për gjobat me të cilat arbitrazhi ka ndëshkuar qeverisjen e keqe të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, ky është buxheti që do t’i zhysë shqiptarët akoma më thellë në krizë, do të nxisë akoma më tej shpopullimin e do të vijojë të mbushë xhepat e klientëve të qeverisë.

Ky eshte buxheti i PPP dhe koncensioneve dhe jo buxheti i njerëzve që kërkojnë mbështetje direkte finaciare për të përballuar krizën sikundër e bëjnë vendet europiane dhe vendet e rajonit.

Lufta kundër shpopullimit të vendit nuk bëhet as me pengmarrje diplomash, as me kërcënime, por me politika që shkojnë te qytetarët dhe kthejnë shpresën në këtë vend.

Ndaj është fatkeqësi që ky buxhet ka O mbështetje për qytetarët dhe njerëzit në nevojë dhe miliona euro për të vazhduar pagesat për klientët e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat