Në atmosferë flakadanësh mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

Shqipëria

Në atmosferë flakadanësh mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 09:06 Përditësuar në ora: 11:07 më 20.11.2023
Kuvendi i Shqipërisë

​Mes tensioneve, Kuvendi në Shqipëri miraton në parim projektbuxhetin 7 miliardë euro

Mes tensioneve, Kuvendi miratoi të hënën në parim me 73 vota projektbuxhetin për vitin 2024, i cili synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor dhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal.

Në skenarin bazë për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet 3.8% dhe një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022, shkruan ATSh.

Kjo rritje, sipas Minstrisë së Financave dhe Ekonomisë, bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023. Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 16.6 miliardë lekë. Gjithashtu, vijon financimi i rindërtimit me 7 miliardë lekë, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e rialokimeve me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin te mirëadministrimi.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë projektligji më i rëndësishëm financiar në vend kaloi pa debate, për shkak të kaosit të krijuar nga deputetë të opozitës, të cilët prej disa javësh po bllokojnë vijimin normal të seancave të Kuvendit.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti do të kthehet për diskutime nen për ne në komisionet parlamentare dhe më pas miratohet në seancë plenare.

Ndizen flakadanët në parlamentin shqiptar, mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

Seanca plenare e kësaj të hëne, ku u miratua me 73 vota pro projektbuxheti, është shoqëruar me përplasje të forta, njoftojnë mediat në Shqipëri. Kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike ata të cilët kanë ndezur flakadan të shumtë në sallë, një prej të cilëve ka shpërthyer në flakë.

Salla u boshatis pas flakëve në Kuvend, ku ministrat dhe deputetët u larguan menjëherë, madje pas tyre dhe gazetarët.Maxhoranca miratoi pa diskutime projektbuxhetin për vitin 2024 brenda 5 minutave, duke shënuar seancën më të shkurtër të Kuvendit në historinë e parlamentarizmit.

I pranishëm në seancë ishte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili nuk e mori fjalën, por mori pjesë në votimin e projektbuxhetit.

Flakët u përhapën pasi një prej flakadanëve ra mbi ulësen e tavolinës së një prej deputetëve të opozitës.

Ka qenë ndërhyrja e gardës me ujë që parandaloi përhapjen e flakëve.

“Rama, frikacak”- Bardhi: Salla u mbush me gardistë sepse kryehajduti ishte paraqitur në Kuvend

Kreu i grupit të opozitës, Gazment Bardhi ka deklaruar se salla e parlamentit u mbush me gardistë për shkak se në Kuvend do të ishte edhe kryeministri, Rama të cilin e quajti “kryehajdut”.

“E vetmja arsye pse sot salla e Kuvendit ishte mbushur me forcat speciale të Gardës ishte sepse në kuvend ishte paraqitur kryehajdut.

Një frikacak që për të ardhur në Kuvend kishte mbushur sallën me punonjës sigurie.

Do donim që kjo seancë të ishte normale të kishim shkëmbim të ideve, por është e pamundur sa kohë shkelet rregullorja”, tha Bardhi.

“S’ke lënë mushkë pa futur në punë në fshatin tënd”- Ish-kryeministri sulmon Ulsi Manjën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja nga salla e Kuvendit, ku seanca nuk po zhvillohet në kushte normale, për shkak të pranisë së gardës e cila ka shkaktuar tension në radhët e opozitës.

Sali Berisha: Ku është Ulusiu? Bëj ç’të duash Ulsi, ke marrë fund.

 A ka mbetur mushkë në fshatin tënd pa u punësua se farefisin i ke punësuar që të githë me nga një rrogë dhe dy rroga, por në fund, thuhet se ka marrë dhe mushkat e fshatit në punë për të të bërë ty qejfin.

Ky është Ulusi Manja që e ka vendin tek Shullazi, tek bandat se është një kriminel elektoral.

Ulsi bëhu sa të duash badigardin e Edi Ramës, por krimi elektoral do të të ndjekë ty gjithë jetën tënde ndaj dhe je i djegur.

“Buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit”, Berisha: Rama me arabin e tij dhe klanin e drogës do të përfitojnë

Ish-kryeministri Sali Berisha, teksa është futur “live” në rrjetin e tij social “facebook” nga salla e Kuvendit, ku pas pak minutash pritet të nisë seanca e rëndësishme për buxhetin e vitit 2024, është shprehu se ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit.

Ai shprehet se në këtë buxhet, mbi 400 milion janë parashikuar për portin e ri, sepse sipas tij Rama përvetëson me arabin e tij dhe klanin e drogës 1 milion e 400 mijë tokë publike në portin e Durrësit.

“Ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit. Në këtë buxhet mbi 400 milion janë parashikuar për portin e ri, sepse Rama përvetëson me arabin e tij dhe klanin e drogës 1 milion e 400 mijë tokë publike në portin e Durrësit.

Përvecse pasurisë shumë miliardëshë që krijon aty për klanin e tij mafioz ajo shpenzon 400 milion euro  për portin në Porto Romano” tha Berisha.

“Mos më prek me dorë”- Përplasje fizike në Kuvend! Gardistët s'lejojnë Berishën t’i afrohet foltores

Seanca e sotme plenare ka nisur me tensione dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe forcave të Gardës së Republikës, të cilët kanë ndaluar deputetët të futen në ambientet e Kuvendit.

Ish-kryeministri Berisha teksa ka tentuar që të shkojë te foltorja, është ndaluar nga Garda. Më pas ka ndërhyrë deputeti Gazment Bardhi, i cili i ka kërkuar gardistëve të mos e shtyjnë.

“Mos e shty me dorë atë, ca ke që e ndalon, hapu pak”, thotë Bardhi.

Ndërkohë, në një prej hyrjeve të sallës së Kuvendit ka pasur dhe një konfrontim fizik mes deputetëve të tjerë të opozitës të cilët janë ndaluar të futën brenda dhe gardistëve, të cilët ishin pozicionuar për ti bllokuar hyrjen.

-----

Në një kohë kur sot do të mblidhet Kuvendi, opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë sërish seancën plenare.

Ashtu siç edhe ka deklaruar, opozita do të tentojë të bllokojë punimet në shenjë kundërshtie për mospërmbushjen e 3 kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore. Ndërkohë, Kuvendi është parashikuar që të nisë në orën 10:00 në një seancë maratonë ku do të diskutohet dhe miratohet buxheti i vitit 2024, ndërkohë që opozita e ka kundërshtuar këtë buxhet. oOpozita nuk ka bërë asnjë hap pas sa i përket aksionit për bllokimin e parlamentit. Nga ana tjetër, as socialistët nuk parashikojnë të ndryshojnë skenar.

Sakaq, PS ka bërë me dije se buxheti mund të kalojë edhe pa debat parlamentar. Në rast se opozita vendos të ngujohet në sallën e Parlamentit, ekziston mundësia që seanca të zhvendoset në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi publikoi një foto, ku sipas tij është dhënë urdhër që Garda të bllokojë sallën e seancave parlamentare, duke mos lejuar demokratët që të zbatojnë skenarin e përmbysjes së karrigeve. Nëse kjo që deklaroi Bardhi do të ndodhë, atëherë nuk dihet se çfarë skenari do të vërë në zbatim opozita. Sakaq, këto pretendime i hodhi poshtë Kuvendi, i cili theksoi se Nikolla nuk ka urdhëruar asnjë plan të veçante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat