Ministria e Drejtësisë përgatit dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, Ministria e Jashtme pritet t’ja dërgojë Turqisë

Shqipëria

Ministria e Drejtësisë përgatit dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, Ministria e Jashtme pritet t’ja dërgojë Turqisë

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 11:07
Ministria e Drejtësisë përgatit dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, Ministria e Jashtme pritet t’ja dërgojë Turqisë

Ministria e Drejtësisë dërgon në Ministrinë e Punëve të Jashtme dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, për t’u dërguar më pas në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë të Turqisë,

“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, sipas njoftimit.

Dritan Rexhepi, i njohur si “mbreti shqiptar i kokainës”, u arrestua në Turqi, më 10 nëntor si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë, ndërsa kishte hyrë përmes aeroportit të Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

I shumëkërkuari shqiptar u kap në një vilë luksoze, ndërsa forcat antidrogë gjetën para dhe bizhuteri gjatë operacionit.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e dënoi me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e dënoi me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

Kurse Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, Rexhepi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e dënoi me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Kush është Dritan Rexhepi?

Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Rexhepit.  Rexhepi është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Trafiku i Rexhepit i cili nisi në vitin 2014, ndërsa “Kompania Bello”, të cilin ai e drejtonte përbëhej nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat