Kolapsi demografik/ 30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht

Shqipëria

Kolapsi demografik/ 30% e bashkive rrezikojnë të shuhen totalisht

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 22:27
Foto ilustrim

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike e vendit, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021. Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 më 2021. Rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. “Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj, deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%. Ekspertët bëjnë thirrje për paketë masash që të ulë kostot për rritjen e fëmijëve dhe të mbështesë familjet e reja.

Rënia e popullsisë në moshat e reja është aq e fortë sa ka marrë përmasat e një orteku që tashmë nuk mund ta ndalë asgjë. Boshatisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit.

Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 fëmijë që lindën më 2021, rënia më e fortë që nga viti 2015 kur vendi u përfshi nga një valë e lartë e azilkërkuesve në vendet e BE-së. Në vitin 1990, në 100 gra kishin lindur 300 fëmijë.

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive në vitin 2021.

Të dhëna krahasuese nga Kombet e Bashkuara tregojnë se rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990 – 2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Por teksa shtetet e tjera i paraprinë situatës, duke ofruar paketa sociale për të ngadalësuar rënien, Shqipëria ende nuk e ka qartë të problemin.

Mungesa e të dhënave të sakta rreth popullsisë banuese në vend, sidomos në rajone, po i vështirëson të gjitha ndërhyrjet. Lëvizjet e shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe nga ana tjetër, shtyrja e Censit nga viti 2020 për këtë vit i bëri nul të gjithë treguesit e tjerë që lidhen me popullsinë dhe ekonominë, në një kohë që vendi ka parë valë të forta emigracioni që nga Censi i fundit 2011.

Demografët besojnë se norma e fertilitetit në Shqipëri e krahasuar me popullsinë banuese është më e lartë, por mungesa e të dhënave të sakta mbi popullsinë e bën të vështirë formulimin e mjeteve për ndërhyrje.

“Bonusi i Bebeve”, një politikë që ndërmori qeveria për nxitjen e lindjeve dështoi, pasi që nga viti 2019, kur nisi aplikimi i saj e deri më 2022, numri i bebeve u pakësua me 13.5%.

Përvojat e vendeve të Europës, që kanë pësuar rënien e lindjeve para Shqipërisë, kanë treguar se masat financiare që jepen vetëm një herë dhe kryesisht kur lind fëmija, nuk janë efikase. Duhen paketa sociale në ndihmë të familjeve dhe mbështetje e përhershme për disa kategori.

Shembull në këtë rast është Franca, e cila nëpërmjet Ministrisë së Familjes ka ofruar një paketë sociale shumë të favorshme që nxit normat e lindjes, duke e renditur këtë shtet me normën më të lartë të fertilitetit në Europë.

Ermira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet demografike, thotë se, mjeti më i mirë për të zbutur pasojat e tranzicionit demografik është zhvillimi ekonomik, i cili duhet të vijë nëpërmjet një reforme të thellë në arsim dhe modelin ekonomik të zhvillimit të vendit.

Shqipëria duhet të synojë integrimin e shpejtë në BE dhe në politikat e brendshme duhet të fokusohet për të krijuar mundësi për grupet e reja në moshë.

Aftësimi i të rinjve, tha ajo, duhet të nisë që në fazat e hershme të arsimit dhe nga ana tjetër, duhet që ekonomia të orientohet drejt degëve ku vendi është më konkurrues.

Sipas znj. Galanxhi, rritja e sektorit të turizmit është një moment i mirë për Shqipërinë dhe për të orientuar arsimin profesional drejt këtij sektori, në mënyrë që të frenohet ikja e të rinjve , për rrjedhojë, përmirësohen edhe treguesit e popullsisë.

Ekspertja thotë se, zhvillimi ekonomik duhet të jetë i shpërndarë drejt rajoneve, pasi lëvizjet e popullsisë nga periferia drejt qendrës janë bërë në raport të zhdrejtë me burimet ekonomike. Një zhvillimin i balancuar rajonal dhe një paketë politikash pro familjes, në një afat më të gjatë do të përmirësonte treguesit e fertilitetit.

Majlinda Nesturi, eksperte e demografisë, konsulente për çështjet gjinore në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, shprehet se kostot e larta të lidhura me rritjen e fëmijëve, si arsimi, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe kujdesi për fëmijët, mund të dekurajojnë çiftet që të kenë më shumë fëmijë.

Ajo këshillon politika nxitëse për familjen, stimuj financiarë për familjet e mëdha dhe mbështetje për balancën punë-jetë.

Një sugjerim të ngjashëm jep edhe sociologia Entela Binjaku, e cila thotë se, duhet të koordinohet një paketë masash që të ndihmojë të rinjtë që në fazën e studimeve dhe më pas, në krijimin e familjes së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat