Fredi Beleri e akuzoi për deklaratë të rremë, GJKKO rrëzon SPAK për mosnisjen e hetimeve për Arsen Ramën

Shqipëria

Fredi Beleri e akuzoi për deklaratë të rremë, GJKKO rrëzon SPAK për mosnisjen e hetimeve për Arsen Ramën

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 12:39
Fredi Beleri

Gjykata e Posaçme ka pranuar ankimin e Fredi Belerit pasi SPAK mori vendimin për mosnisjen e hetimeve ndaj Arsen Ramës, i cili u akuzua nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës për deklarim të rremë.

GJKKO vendosi që të shfuqizojë vendimin e datës 11 tetor të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mosfillimin e procedimit penal ndaj Arsen Ramës dhe të pranojë ankimin e paraqitur nga Beleri.

Peshkatari Arsen Rama është personi që ka realizuar audio-përgjimi që çoi në burg fituesin e “BF” për Bashkinë e Himarës.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve vendore për blerje votash.

Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimit e tij të paligjshëm e politik dhe kërkon të lejohet që të kryejë betimin.

Njoftimi i Gjykatës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit penal të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, të bërë ndaj shtetasit A.R për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga neni 305/b të Kodit Penal, ka regjistruar kallëzimin penale Nr. 211 të vitit 2023.

Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.10.2023 vendosi: “Mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin penal Nr. 211 datë 09.10.2023 të depozituar nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Ky vendim i njoftohet kallëzuesit, i cili ka të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni.”.

Vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatë nga kallëzuesi më datë 23.10.2023. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore në respektim të nenit 291 pika 3 të K.Pr.Penale. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 75/a, 112, 290 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenin 305/b të Kodit Penal, duke vlerësuar se Prokuroria e Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka kompetencë lëndore për shqyrtimin e kallëzimit të bërë nga ankuesi Dhionisios Alfred Beleri, me vendimin Nr. 426, datë 28.12.2023, vendosi:

Pranimin e ankimit të paraqitur nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri.

Shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë “Për mosfillimin e procedimit penal që i përket kallëzimit Nr. 211 datë 09.10.2023”, datë 11.10.2023.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat