Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, shtohen marrëveshjet në prokurime si ligjërisht të ndaluara

Shqipëria

Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, shtohen marrëveshjet në prokurime si ligjërisht të ndaluara

Më: 9 janar 2024 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur për konsultim një projektligj që propozon një sërë ndryshimesh në ligjin kryesor që rregullon aktivitetin e institucioni, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Sipas ndryshimeve të propozuara, në përmbajtjen e ligjit në fjalë do të shtohet koncepti i praktikës së bashkërenduar, që përkufizohet se koordinimi ndërmjet ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.

Gjithashtu, projektligji shton edhe përkufizimin e marrëveshjes në oferta, ku ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike.

Format e marrëveshjes në oferta mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor; ofertat e përmbajtura, në rastet kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur në mënyrë që oferta e përcaktuar fituese në marrëveshje të pranohet si e tillë; ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre sipas një radhë të caktuar; ndarja e tregut, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë në pjesë tregun dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike.

Projektligji i shton shprehimisht edhe kategoritë e marrëveshjeve në oferta në procedurat e prokurimit si marrëveshje të ndaluara.

Tregu i prokurimeve publike është bërë shpesh objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës. Disa prej formave të marrëveshjes në oferta, të përkufizuara më lart, janë mjaft evidente në prokurimet publike, veçanërisht në tenderat e infrastrukturës rrugore, kur ndodh që disa kompani ndajnë me njëra-tjetrën lotet e punimeve, duke konkurruar në mënyrë fiktive me njëra-tjetrën.

Projektligji parashikon zgjatjen e afatit që subjektet kanë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, nga 30 në 45 ditë. Por, në ndryshim nga ligji aktual, projektligji përcakton se subjektet nuk do të kenë të drejtë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Komisionit të Konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak.

Në projektligj propozohen edhe disa ndryshime në dispozitat që rregullojnë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës. Anëtarët e Komisionit do të vazhdojnë të zgjidhen nga Kuvendi sipas formulës aktuale (dy të propozuar nga vetë Kuvendi, dy nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Presidenti i Republikës), por sipas projektligjit mandati i anëtarëve do të zgjatet në pesë vjet.

Sipas ligjit aktual, Kryetari i Komisionit të Konkurrencës ka një mandat 5-vjeçar, zëvendëskryetari mandat 4-vjeçar, ndërsa tre anëtarët e tjerë kanë mandat 3-vjeçar. Projektligji parashikon gjithashtu shprehimisht se Kryetari i Komisionit të Konkurrencës duhet të zgjidhet nga Kuvendi mes anëtarëve me profesionin jurist, ndërsa në ligjin aktual nuk ekziston një detyrim i tillë.

Sipas projektligjit, propozohet që anëtarët e Komisionit të Konkurrencës mund të rizgjidhen vetëm njëherë, ndërsa ligji aktual e kufizon të drejtën e rizgjedhjes për dy mandate radhazi.

Projektligji propozon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në pavarësinë financiare të Autoritetit të Konkurrencës. Me ligjin aktual, të gjitha të ardhurat e siguruara nga ky institucion duhet të derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Sipas projektligjit të propozuar, në buxhetin e shtetit do të vazhdojnë të derdhen vetëm të ardhurat nga gjobat. Ndërkohë, të ardhurat që krijohen nga procedurat e kontrollit të përqendrimeve, tarifat administrative për kontrollin e përqendrimeve dhe autorizimet e përqendrimeve, do të mbahen në llogarinë e Autoritetit të Konkurrencës dhe do të përdoren për qëllime investimi dhe shpenzime operative, të cilat kontribuojnë në përmbushjen e misionit të institucionit, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat