Kryeministri Rama “dush të ftohtë” deputetëve dhe ministrave, kërkon prezencë të shtuar në Parlament dhe elektorat

Shqipëria

Kryeministri Rama “dush të ftohtë” deputetëve dhe ministrave, kërkon prezencë të shtuar në Parlament dhe elektorat

Më: 10 janar 2024 Në ora: 10:43
Mbledhja e kabinetit shqiptar

Kryeministri Edi Rama duket se nuk është i kënaqur me punën deputetëve dhe ministrave, të cilëve iu ka bërë “dush të ftohtë”. Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë, e gjithë mazhoranca socialiste është shpërngulur dje nga Tirana për në Shëngjin të Lezhës, ku për dy ditë me radhë, pra dje dhe sot, kryeministri Rama, i gjithë kabineti qeveritar, grupi parlamentar, drejtues të drejtorive më të rëndësishme dhe sekretariati i Partisë Socialiste do të kalojnë në sitë reformat, arritjet dhe objektivat për vitin 2024.  Diskutimet me dyer të mbyllura nisën mëngjesin e kësaj të marte dhe do të vijojnë deri të mërkurën pasdite. Fjalën i pari e mori Kryeministri, i cili skanoi punën e deritanishme, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga të gjithë sidomos në lidhje me debatin parlamentar, në komisione dhe seanca plenare. Forcimin e strukturave të Partisë Socialiste në bazë Kryeministri i cilësoi të rëndësishme, ndërsa burime nga brenda mbledhjes për gazetën “SOT” bëjnë me dije se Rama ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit kalendarik.

Klosi dhe Çuçi flasin për objektivat e PS

Ndërkaq, pas kryeministrit fjalën e ka marrë Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, i cili ka folur për objektivat e socialistëve dhe organizimin e degëve ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi është fokusuar në analizën e punës në Kuvend, teksa theksin e vuri të rëndësia e ndërveprimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar.

Çuçi ka bërë një bilanc sa interpelanca janë zhvilluar, sa mocione me debat, projektligjet e depozituara në Kuvend, nga të cilat sa prej qeverisë e sa prej deputetëve. Çuçi më tej, ka analizuar edhe prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione. Socialistët kanë diskutuar këtë të martë edhe për sfidat në Parlament, sidomos në drejtim të kaosit që krijon opozita dhe çdo të bëhet në vijim me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar. Burime thonë se për PS varianti i mbledhjeve online të komisioneve parlamentare mbetet i zbatueshëm në çdo rast bllokimi nga opozita.

Ndërkohë paraditja e sotme, në mbledhjen ku marrin pjesë mbi 70 funksionarë, do të jetë e dedikuar për konluzionet dhe detyrat, ndërsa takimi dyditor do të mbyllet me një mbledhje me dyer të mbyllura të kabinetit qeveritar. I pranishëm në Shëngjin ishte edhe Blendi Gonxhja, i cili është në pritje të dekretit të Begajt për t’u bërë zyrtarisht ministri ri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Diskutimi është fokusuar në këto pika

1.  Seancat plenare të zhvilluara në vitin që lamë pas

2.  Sa interpelanca dhe mocione me debat janë zhvilluar

3. Sa projektligje janë depozituar ne Kuvend

4. Prezenca e deputeteve në seanca plenare, në mbledhje grupi e komisione

5. Takimet e ministrave me deputetet

6. Sa diskutime ka pasur nëpër komisione për buxhetin dhe paketën fiskale

7. Kërkesat për masa disiplinore ndaj deputeteve, sa janë kërkuar e sa janë miratuar

8. Performanca e deputeteve në debate publike, diskutime në seanca e komisione dhe prezenca ne zonat elektorale

9.  Vijimësia e jetës parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit te opozitës

10.  Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve për shembull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat