Qeveria, plan për të kontrolluar SPAK? Spiropali i përgjigjet Bashës: Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës!

Shqipëria

Qeveria, plan për të kontrolluar SPAK? Spiropali i përgjigjet Bashës: Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës!

Më: 20 janar 2024 Në ora: 14:32
Lulzim Basha, Elisa Spiropali

Një ditë më parë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  gjatë një konference me gazetarët ai foli për një plan të qeverisë socialiste për të kontrolluar dhe goditur SPAK dhe organet e reja të drejtësisë.

Sipas Bashës procesi për të kontrolluar SPAK bëhet përmes një komisioni të ashtuquajtur të të drejtave të njeriut që shkelen nga institucionet e drejtësisë.

Ai theksoi se nëse ky plan është i vërtetë, atëherë PD do të jetë 100% në bllok kundër kësaj iniciative.

“Tani që Reforma në Drejtësi po fillon të japë rezultat, tani që SPAK-u po fillon të godas pandëshkueshmërinë historike të korrupsionit të kësaj qeverie, qeveria ka nxjerrë nga sirtarët një qasje, siç e thashë është provuar dikur në Rumani ku ishte i njëjti proces për të kontrolluar dhe goditur SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi përmes një komisioni të ashtuquajtur të të drejtave të njeriut që shkelen nga institucionet e drejtësisë. Nëse ky informacion nuk është i gabuar, nëse një çështje e tillë është diskutuar, hiç më vonë se këtë javë në nivelet e larta të politikëbërësve socialistë, atëherë dua t’i siguroj, së pari publikun shqiptar, dhe së dyti dhe ata, që Partinë Demokratike do ta kenë 100% në bllok kundër një iniciative të tillë”, – deklaroi Basha.

Por në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se ky pretendim i Bashës është i pavërtetë.

Sipas Spiropalit, kjo që është deklaruar nga Basha është një “një tym i nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis”.

“Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor “të socialistëve të alarmuar kundër Spakut”!

Kjo është nga ato të pavërtetat që janë aq qesharake sa nuk ia vlen t’i konsiderosh. Por, vlen sot për t’i këshilluar të gjithë të interesuarve t’i kthehen fjalës së kryeministrit në Kongresin e 8 dhjetorit. Aty do t’i gjejnë edhe nga nisen planet që po bëjnë socialistët, për të cilat drejtuesit politikë, kabineti qeveritar dhe drejtuesit e komisioneve të Kuvendit, u mblodhën dy ditë në Lezhë.

Tre janë drejtimet e punës dhe planeve tona “djallëzore” për sa më lart:

1) Garantimi i pakthyeshmërisë së progresit të bërë deri këtu;

2) Modernizimi i çdo gjymtyre e organi të shtetit;

3) Rritja e kapitalit njerëzor të administratës publike.

Thënë sa më lart, Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave tona, i cili jo nuk preket, po vetëm do të lartësohet me mbështetjen tonë të palëkundur dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Ndërsa Spaku sot është një ndër arsyet e krenarisë sonë për atë flamur, i cili nuk do të ishte ngritur kurrë në këtë vend, pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund, për Shqipërinë 2030.

Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit”, përgjigjet Spiropali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat