Shiste në rrugë me çmime fiktive ora dhe sende të tjera të markave të shtrenjta, arrestohet 30-vjeçari! Si e zbuloi policia

Shqipëria

Shiste në rrugë me çmime fiktive ora dhe sende të tjera të markave të shtrenjta, arrestohet 30-vjeçari! Si e zbuloi policia

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 10:28
Foto ilustrim

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia pasi shiste në rrugë ora dhe sende të tjera të markave të shtrenjta me çmime fiktive.

Policia thotë se operacionit i koduar “Okazion” është zhvilluar në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë, ndërsa të riut iu sekuestruan 25 ora dhe 2 stilolapsa të markave të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Për 30-vjeçarin pritet të nisin hetimet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Njoftimi i Policise: 

Si rezultat i patrullimeve në terren dhe kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve tregtare, në kundërshtim me ligjet, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë për hetimin e këtyre krimeve, në DPPSh, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Okazion”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë në rrugën “Reshit Çollaku”, Tiranë, dhe u vu në pranga shtetasi Xh. L., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 30-vjeçarit, 25 ora dhe 2 stilolapsa të markave të ndryshme, të shtrenjta. Sendet, të dyshuara të kontrabanduara, shiteshin nga ky shtetas, me çmime fiktive dhe pa fatura.

Në vijim, u referuan materialet në Prokurori dhe për përcaktimin e përgjëgjësisë penale të punonjësve të Drejtorisë Vendore të Tatimeve Tiranë, që mbulojnë zonën ku shiste shtetasi Xh. L..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat