Samiti Ballkani Perëndimor-BE, Rama zbulon pse mungon Kurti - Varhelyi jep lajmin e mirë nga Tirana

Shqipëria

Samiti Ballkani Perëndimor-BE, Rama zbulon pse mungon Kurti - Varhelyi jep lajmin e mirë nga Tirana

Nga: Bota sot Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 09:59 më 29.02.2024
Fotografia familjare nga Samiti Ballkani Perëndimor-BE që po mbahet në Tiranë

Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE mbi planin e ri të rritjes ekonomike, kryeministri Rama pret të ftuarit në Pallatin e Kongreseve

Pas samitit të zhvilluar dje në Tiranë për Ukrainën, sot kryeqyteti pret një tjetër samit, atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, me fokus integrimin e rajonit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e planit të rritjes ekonomike.

Kryeministri Edi Rama si organizator i këtij aktiviteti ka pritur liderët e Ballkanit Perëndimor në Pallatin e Kongreseve.

E para që ka mbërritur në tapetin e kuq ka qenë Majlinda Bregu, e cila mban edhe detyrën e Sekretares se Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

E sqarojnë nga Presidenca: Osmani s’merr pjesë në samitin e sotëm në Tiranë, ja kush është ftuar aty

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka sqaruar se nuk është paraparë pjesëmarrja e shefes së shtetit në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që mbahet sot në Tiranë.

Kupina ka treguar se Presidentja ishte e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë – Europa Juglindore, që u mbajt dje.

“Presidentja Osmani ka qenë e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore të datës 28 shkurt. Nuk ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në takimin e kryeministrave më 29 shkurt për planin e rritjes. Aty janë të ftuara qeveritë”, tha Kupina.

Disa media në Shqipëria raportuan se presidentja Vjosa Osmani do të merrte pjesë në samitin e sotëm BE – Ballkani Perëndimor.

Sot Tirana nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes e Konvergjencës

Sot kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, do të jetë nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas një njoftimi për media nga Kryeministria e Shqipërisë, ky Samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. Komisioneri për zgjerimin do të mbërrijë mëngjesin e së enjtes ku do të mbajë fjalën hapëse së bashku me kryeministrin Edi Rama.

Në 10:45 liderët e Ballkanit Perëndimor do të realizojnë foton familjare së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Më pas, do të firmosen disa marrëveshje të rëndësishme mes ministres së Arsimit, Sportit Orgerta Manastirliu, rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe  rektores së Kolegjit të Evropës në prezencën e kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Në orën 12:30 do të zhvillohet edhe konferenca e përbashkët për shtyp mes Ramës dhe Varhelyit.

Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës ka në fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Përmes këtij samiti pritet që BE të nxisë rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në këto shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe përshpejtimi i reformave themelore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat